Këtë Vllazni nuk e ndal askush. Edhe pse në kampin korçar deklaronin përpara ndeshjes se do të ishin ato që do ta bënin një gjë të tillë, 90-të minutat e luajtuara sot në Korçë treguan të kundërtën.
Pas një pjese të parë me shifrat e barabarta, 0 me 0 dhe disi me ritëm të ulët, 45 minutat e dyta u shoqëruan me shumë episode. Një pjesë që i pati të gjitha, gol i anoluar për korçarët, penallti me VAR për Vllazninë e realizuar nga bomberi Bekim Balaj në të 71-tën minutë, karton i kuq për Ardit Krymin e kuqebluve, një e verdhë për talentin 18 vjeçar të portës Aron Jukaj që luan ndeshjen e parë si titullar, si dhe një shtyllë rrënqethëse e sekondave të fundit të shtesës nga ana e Skënderbeut që përfundon jashtë katërkëndorit kuqeblu.
Dhe, menjëherë më pas vjen vërshëllima tre herë e kryesorit nga Fieri, Kreshnik Cjapi që sinjalizon mbylljen e të gjithë ndeshjes. Skënderbeu 0 dhe Vllaznia 1, tre pikë të arta për kuqeblutë, që ndonëse edhe me ndihmën edhe të fatit, ishin plotësisht të merituara për skuadrën e drejtuar nga tekniku Qatip Osmani.
Po, jo vetëm kaq, sepse këto tre pikë duke i shtuar edhe barazimin e Egnatias me Tiranën 1-1, bëjnë që Vllaznia të avancojë edhe më shumë drejt kreut duke qënë tashmë në vetëm 2 pikë larg rrogozhinasve që kryesojnë me 51 pikë.