Friday, April 19, 2024

Superiore Futboll Moshat-Shkëlqejnë Vllaznia U-19 dhe KF Shkodra U-17 dhe U-19

Lexo

Java e 19-të e Kampionatit Kombëtar të futbollit për moshat kategoria Superiore është shoqëruar me një paraqitje të mirë të skuadrave shkodrane. Figurën më të mirë sportive e ka bërë skuadra e Vllaznisë U-19, e cila e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani ka shpartalluar ekipin e Shkëndisë së Durrësit duke e mundur me rezultatin e thellë 9 me 0. Për kuqeblutë golat janë shënuar nga Flori Spahija, Gledian Pusi, Antonio Delaj, Rejan Alivoda(2), Ardit Nikaj(4). Me këtë fitore skuadra kuqeblu kryeson Grupin A me 25 pikë. Me këtë fitore, duke marrë parasysh rregulloren e FSHF-se për përgjysmimin e pikëve në fazën e tretë, ekipi shkodran është ngjitur ne kuotë e 25 pikëve dhe mban sërisht vendin e parë në tabelën e renditjes.

Një fitore të rëndësishme ka realizuar edhe KF Shkodra U-19 duke fituar 1-2 në transfertë me Partizanin. Partizani ka shënuar i pari me anë të Shakajt në të katërtën minutë, por  Shkodra e drejtuar nga trajneri Rudi Piraniqi ka shënuar dy herë në fundin e takimit, në të 85-tën me një penallti të ekzekutuar me sukses nga Suka dhe në të 90-tën është Kodra që shënon golin e fitores duke e mbyllur ndeshjen 1 me 2 në favor të KF Shkodra. Më herët, në ndeshjen e prapambetur Shkodra U-19 barazoi me Tiranën në shtëpi me gol të shënuar nga Gerti Suka. Pas kësaj jave  KF Shkodra renditet në vendin e gjashtë me 15 pikë.

Ndërkohë, ekipi tjetër KF Shkodra U17 me trajner Arbion Kopliku ka realizuar dy fitore të njëpasjëshme në harkun kohor të tre ditëve. Në ndeshjen e prapambetur zhvilluar në fushën sportive të Barbullushit ka mundur rezultatin 4-1 Tiranën me tre gola personal të shënuar nga Alsi Gjelaj dhe një Augen Hasani. Fitorja tjetër e radhës për 17 vjeçarët e drejtuar nga trajneri Arbion Kopliku është realizuar ndaj ekipit Brias me rezultatin 2 me 1. Dy golat e KF Shkodra mbajnë format e Bishjes dhe Gjelajt përkatësisht në minutat 4 dhe 14. Fitore këto që mbajnë KF Shkodra në vendin e pestë me 27 pikë.

E vetmja skuadër shkodrane e futbollit të moshave  të kategorisë Superiore që është mundur këtë javë është Vllaznia U-17 me trajner Brikeno Bizin. Në përballjen me Tiranën, kuqeblutë kanë arritur të kalojnë në avantazh me anë të William Cungut që në minutën e 33-të, por në fund të ndeshjes Tirana vendase ka përmbysur gjithçka. Falë dy golave të shënuar nga Sina(2) dhe Hasani, bardheblutë kalojnë në avantazh 3 me 1. Vllaznia arrin të shënojë edhe një gol tjetër me autor Kodrën, gol që vlen vetëm për të shkurtuar diferencën në  3 me 2  në favor të Tiranës.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img