Thursday, April 25, 2024

Superiore, Vllaznia-Skenderbeu, nesër ora 13.45-Hoxhaj premton fitore dhe gol

Lexo

Prej disa ndeshjesh tekniku Brdariç i ka besuar vendin e titullarit në skuadër, dhe duket se Ardit Hoxhaj po e bën më së miri punën e tij në gjirin e kuqebluve. Me golin e shënuar prej tij, Vllaznia fitoi tre pikë shumë të rëndësishme javën e kaluar ndaj Apolonisë, ndërkohë që një gjë të tillë, Hoxhaj shpreson ta bëjë edhe nesër ndaj korçarëve në “Loro Boriçi”. Përpos kësaj, deri në fund të sezonit Hoxhaj dëshiron dhe premton se do të arrijë të shënojë deri në 10 gola me uniformën e Vllaznisë. Deklaratat në fjalë, Hoxhaj i bëri gjatë konferencës për shtyp që KF Vllaznia organizoi një ditë përpara ndeshjes Vllaznia-Skenderbeu, takim ky për llogari të javës së 11-të të kategorisë Superiore, i cili starton të dielen duke filluar nga ora 13.45.

“Deri më tani çdo gjë po shkon si duhet, shpresoj ta mbarojmë kështu si e kemi nisur. Nesër me Skenderbeun është ndeshje morali, tre pikë vlen si me Tiranën si me Skënderbeun.”, u shprehë në fillim të prononcimit të tij Ardit Hoxhaj.

Më pas, duke folur për kundërshtari, Hoxhaj vlerësoi Skenderbeun si një ekip i cili ka brum pozitiv, gjë që e ka treguar edhe me skuadra të tjera pretendente për titull të këtij sezoni futbollistik.

“Skënderbeu, nuk është ekip i lehtë për t’u kaluar, ai barazuan edhe me Tiranën, çka tregon se ka nivel cilësor futbollistësh. Nuk ka ndeshje të lehta dhe në asnjë ndeshje nuk futesh i sigurt se do e fitosh. Edhe ekipet e fundit kanë ego për të luajtur”, theksoi vlonjati i Vllaznisë.

I pyetur, se sa gola mund të shënojë deri në fund të kampionatit me fanelen e Vllaznisë, Hoxhaj, përgjigjet:”Nuk premtoj gola por do isha i kënaqur të shënojë 8-10 gola, pse jo edhe më shumë.”

Më herët, Ardit Hoxhaj ka qënë pjesë edhe e ekipit korçar Skenderbeu, por pa pasur shumë hapësira aktivizimi, por megjithatë e njeh mirë lojën e tyre.

“Kam qenë te Skënderbeu në momentin më të mirë të tyre, nuk kam luajtur shumë, por është bukur të luash ndaj ish-skuadrës, pse jo t’i shënosh. Lojtarët e mesfushës së Skënderbeut janë shumë të mirë dhe kush arrin të fitojë duelet e mesfushës, nesër merr tre pikët”, përfundoi sulmuesi i kuqebluve, Ardit Hoxhaj.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img