Saturday, April 20, 2024

Djarmati: Vllaznia gati për Skënderbeun. Nëse në fund nuk kapim Europën është dështim i të gjithëve si staf

Lexo

Kampionati Kombëtar i Futbollit për kategorinë Superiore luan të dielën ndeshjet e javës së 11-të. Tre prej tyre, Vllaznia-Skenderbeu, Kastrioti-Laçi dhe Bylis-Apolonia, startojnë në orën 13:45, ndërkohë që dy çiftet e tjerë, Tirana-Teuta dhe Partizani-Kukësi në orën 16:45. Sa i përket përballjes që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” në mes Vllaznisë kryesuese të tabelës së klasifikimit me 22 pikë dhe Skënderbeut i parafundit në renditje me 6 pikë, ishte drejtori sportiv i KF Vllaznia Matko Djarmati që doli në konferencë shtypi për këtë pragndeshje. Fillimisht, kroati i stafit kuqeblu preferoi të urojë komunitetin për festën e Krishtlindjes, ndërkohë që shprehu kënaqësinë që në kampin kuqeblu është gjithçka OK për sfidën e së dielës me korçarët duke pohuar se nuk kanë asnjë problem me Covidin, si dhe me dëmtimet në skuadër. Ai foli për shumë gjëra, por ndër të tjera, ajo që u tërhoqi më shumë vemendjen ishte deklarata, se nëse Vllaznia nuk do të luajë në Kupat e Europës, ai e quan dështim të të gjithëve si staf.

“Çdo kundërshtar është shumë i vështirë. Skënderbeu nuk ka asgjë për të humbur, nuk do jetë ndeshje e lehtë. Çdo ndeshje do e marrim si gjithë të tjerat, do bëjmë analizën e ndeshjes në detaje. Luajmë sport dhe ka tre rezultate, nuk ka fitore 100%. Nëse do ishte kështu nuk do ishte sporti interesant, kush gabon më pak nesër del fitues.”, theksoi zyrtari i klubit Vllaznia.

Në vijim, duke folur për merkaton, Djarmati e konsideroi janarin si të vështirë për të gjetur lojtarë cilësorë, pasi sipas tij, një futbollist mund të jetë i lirë nëse ka probleme me klubin ose kur nuk luan, dhe se minimumi një lojtari që vjen nga tregu i jashtëm i duhet kohë që të ambientohet.

“Jemi përqëndruar te tregu ballkanas, këto ide kemi. Lekaj ka ikur pas katër vitesh, ishte i pakënaqur me minutazhin e aktivizimit. Është një djalë shumë i mirë dhe nuk ka problem, i kemi dhënë dorën dhe ka gjetur skuadër të re. Sidorenco mbaroi kontratën, Mandiagu ka probleme fizike dhe po bisedojmë për të mbyllur kontratën, ndërsa për të tjerët deri tani nuk kemi asgjë.”, tha në vazhdim, Djarmati.

Në vijim drejtori sportiv i Vllaznisë, foli edhe për një situatë paksa problematike të Da Silves dhe Dungës në raport me klubin kuqeblu. “Da Silva, është një lojtar me kontratë profesioniste dhe çdo lojtar ka pakënaqësi kur nuk është në formacion. Ka bërë tetë ndeshje të mira dhe jemi të kënaqur. Një dëmtim e ka mbajtur jashtë fushës, ndërkohë që janë aktivizuar ato që janë stërvitur çdo ditë. Kjo është puna e trajnerit dhe trajneri ia ka shpjeguar lojtarit. Da Silva është në treg, nëse vjen oferta e duhur si çdo lojtar, ne nuk e duam larg skuadrës. Ndërsa, sa i përket Dungës duhet thënë se në Kenia, ca gjëra janë ndryshe. Kishim planifikuar të vinte sot ose nesër, por atje funksionon ndryshe, nuk ka marrë pasaportë në dorë, sapo ta marrë, merr vizën shqiptare.”, sqaroi Djarmati.

Një problem jo profesional i stafit është konsideruar firmosja direkt nga avioni me Mandiangun, i cili nuk arriti të kontribuojë fare për skuadrën kuqeblu në këtë pjesë të parë të sezonit. “Është dëmtuar në stërvitje dhe nuk kishim mundësi ta kuronim për katër muaj. Nuk është faji i mjekëve tanë, as mjekët gjermanë nuk ia dolën.”, vjen sqarimi i Djarmatit për këtë çështje jo pak të diskutuar.

Ka rreth një muaj që në media lakohen çdo ditë për veshjen kuqeblu të Balajt dhe Llulakut, apo ndonjë tjetri. Po sa të vertetë ka në këtë mes, apo është thjesht publicitet?

“Me Llullakun kemi biseduar, merret sponsori Xhaferi me këto punë. Mos harroni që një ish-lojtar i Kombëtares ka një kosto që për klubin është shumë. Ndërsa për Balajn, nuk kemi ne mundësi ta sjellim në Shkodër. Sukaj ka një vit e gjysmë që nuk luan futboll, e takoi trajnerin për një drekë si tifoz, s’ka asgjë serioze.”, sqaron Djarmati për merkaton e shumë komentuar kuqeblu të janarit.

Në mbyllje, pyetjes që nëse kuqeblutë nuk arrijnë të përfshihen në Kupat e Europës, a konsiderohet dështim për Vllazninë, drejtori sportiv Djarmati, pohon që nëse vertet ndodhë ashtu, do të ishte zhgënjim i madh i të gjithëve.

“Nëse nuk e kapim zonën europiane do ishte një zhgënjim i madh i imi dhe dështim i ne të gjithëve si staf. Nuk mund të jap një përgjigje se çfarë ndodh, shpresoj të shkojmë në këtë rrugë. Kemi njohur gjithë kundërshtarët dhe mendojmë se do jemi në katër vendet e para”, deklaroi përpara gazetarëve zyrtari kuqeblu, Matko Djarmati.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img