Sunday, May 19, 2024

Superliga U-21/Vllaznia-Bylis, 2-2. Barazim 2-2 që favorizon miqtë, të cilët krysojnë kampionatin

Lexo

Vllaznia U21-Bylis U21 2-2

(Shënues: Uhejd Hoxha 36’, Eraldo Deda 68’ / Joald Ivziku 57’, Flamur Ruçi 66’

E martë, 15 shkurt 2022, ora 13.00, Stadiumi “Reshit Rusi” Shkodër

Vllaznia: Shkoza, Shimaj, Paloka, Pusi, Smajli, Panos, Leka, Muliu, Hoxha, Xhilaj Deda. Trajner: Dean Sibson(U aktivizuan: Bizi, Dulaj, Osmani, Pishinxa)

Bylis: Beqaj, Kastrati, Preka, Janku, Trumçi, Fall, Maçolli, Birungueta, Qardaku Barbosa, Ivziku. Trajner: Jeton Beqiri(U aktivizuan: Kosti, Skënderaj, Saliaj, Emini, Ruçi)

Ndeshja më e rëndësishme e Kampionatit Kombëtar të Futbollit për Superligën U-21 ishte ajo e luajtur pasditen e së të martës në stadiumin “Reshit Rusi” të qytetit të Shkodrës. Bëhet fjalë për duelin Vllaznia- Bylis, dy skuadrat rivale, që së bashku me Dinamon janë pretendente për fitimin e titullit kampion.

Kuqeblutë e drejtuar nga anglezi Sibson vinin në këtë ndeshje pas dy barazimeve radhazi, me Dinamon në shtëpi dhe Tiranën në transfetë. Barazime këto që e kanë pozicionuar Vllazninë në vendin e tretë pas Bylisit dhe Dinamos që kryesojnë me pikë të barabarta, tre më shumë se sa kuqeblutë.

Ishte kjo arsyeja, që në kampin kuqeblu kishte vetëm një objektiv, atë të fitores, gjë e cila nëse do të ndodhte, Vllaznia do të barazohej me pikë me ballshiotët.

Një sfidë, që ashtu si edhe të tjerat është ndjekur prej së afërmi nga drejtuesit kuqeblu, ku krahas stafit teknik me në krye trajnerin Tomas Brdariç, i pranishëm ishte edhe vetë presidenti i Klubit të Futbollit Vllaznia, Alban Xhaferi.

Katër gola ka prodhuar kjo ndeshje, nga dy për secilen skuadër duke fiksuar në fund barazimin 2 me 2.

Vllaznia ishte e para që ka kaluar në avantazh në minutën e 36-të me anë të mesfushorit Uhejd Hoxha duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me fitoren e Vllaznisë 1-0.

Ndërkohë, në minutat e para të pjesës së dytë  Bylis barazon në minutën e 57-të me golin e shënuar nga një shkodran si Joald Ivziku. Futbollist ky që në fazën e parë ka spikatur si golashënues në formacionin kuqeblu, por që për mungesë hapësirash në ekipin e parë ka preferuar të kalojë tek Bylis, aty ku ka gjetur edhe futbollistët e tjerë shkodranë, si Eridon Qardaku, Marçelino Preka, Aleksandër Trumçi, Florian Leka dhe Roland Shkreli.

Barazimi e ndez akoma shumë ndeshjen duke parë një Vllazni që sulmon për të gjetur golin e avantazhit, por miqtë nga Ballshi vazhdojnë të luajnë mirë duke mos vonuar të shënojnë përsëri në portën e Vllaznisë. Është sulmuesi ballshiot Flamur Ruçi që në minutën e 66-të kalon Bylisin në avantazh 1 me 2.

Kuqeblutë vazhdojnë të sulmojnë duke ushtruar presion në portën mike dhe pas një këmbëngulje nga krahu i majtë, topi spostohet në të djathtë, aty ku Eraldo Deda, me tu futur në zonë godet fort me të majtën e tij duke shënuar golin e barazimit.

Është minuta e 68-të dhe për Vllaznia ka kohë edhe për një gol tjetër, por edhe pse këmbëngulin jo pak, kuqeblutë nuk arrijnë të gjejnë golin e fitores. Përfundimisht, barazim 2 me 2, që në një farë mënyre favorizon Bylisin, i cili arrin të ruajë diferencen prej tre pikësh me Vllazninë.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img