Wednesday, April 24, 2024

Tenis-Talenti shkodran, Ares Ferhati më i miri i Turneut Ndërkombëtarë “Chery Cup-Maqedonia e Veriut”

Lexo

Është vetëm 10 vjeç, por talenti që Ares Ferhati po shfaq në sportin e tenisit ka bërë që emri i tij të bëhet shumë shpejt i njohur, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Krahas disa sukseseve radhazi në garat kombëtare, Ares Ferhati spikat edhe në garat ndërkombëtare.

I tillë ishte edhe Turneu shumë i rëndësishëm Ndërkombëtar “Chery Cup” që u zhvillua në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku talenti shkodran që përfaqësoi Shqipërinë, Ares Ferhati, spikati për nivelin e lartë cilësor të lojrave të tij.

Lufta sportive mes 150 konkurentëve nga të gjitha vendet e rajonit ishte mjaft e fortë, por 10 vjeçari kuqezi Ares Ferhati ka shkëlqyer sërish, duke treguar vlerat dhe talentin e tij. Pasi ka sfiduar me radhë të gjithë rivalët e tij konkurentë, Ferhati është shpallur kampion në kategorinë e tij në moshën 10 vjeçare duke bërë që në ceremoninë përkatëse të ngrihej lart flamuri shqiptar.

Krahas titullit kampion për kategorinë e moshës së tij, Ares Ferhati fiton edhe një tjetër vend të parë në kategorinë Double, së bashku me Ivan Trpkovski, ndërkohë që ka fituar vendin e tretë në këtë turne për kategorinë e 11 vjeçarëve.

Paraqitja e tenistëve shqiptarë në Turneun e Shkupit  ka qënë fantastike ndërkohë që Ares Ferhati është përgëzuar edhe nga organizatorët si një talent i së ardhmes në sportin e tenisit.

Suksesin kuqezi në këtë turne ndërkombëtarë e ka përshëndetur edhe Federata Shqiptare e Tenisit e cila në rrjetet sociale ka shpërndarë edhe fotot e kampionëve në këtë event.

Ares Ferhati, tashmë e ka kthyer në refren të çdo kompeticioni fitimin e trofeve, ndërkohë që ky është turneu i parë jashtë kufijve të Shqipërisë që shpallet fitues absolut në të gjitha duelet.

Talenti, i ndërthurur me stërvitjen e palodhur janë çelësi i suksesit, ndërkohë që këtë emër mesa duket duhet ta fiksojmë gjatë në këtë sport pasi të dhënat flasin që tani për një kampion të padiskutueshëm.

Në një prononcim të shkurtër për Veriu Sport, kampioni 10 vjeçar Ares Ferhati, shprehet i kënaqur dhe i emocionuar për suksesin e arritur në Turneun Ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut. Ndër të tjera, trofetë e fituara në këtë garë, por edhe ato të mëparshmet në Shqipëri shkojnë për babain e tij, Mjeshtrin e njohur të artit fotografik e më gjërë në fushën e Music Videoclip Producer, Gentian Ferhati, i cili, sipas të birit, është ai që ia ka ushqyer ta ushtrojë këtë sport që në moshën 3 vjeçare dhe në vazhdim po e mbështet vazhdimisht në ecurinë e karrieres së tij sportive.

Me këtë rast, Veriu Sport, i uron suksese në karrieren sportive tenistike, shkodranit Ares Ferhatit, sa më shumë tituj dhe medalje, sidomos në arenën ndërkombëtare, si ky i fundit që ngriti lart flamurin shqiptar në Maqedoninë e Veriut!

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img