Tirana Futsal ka regjistruar një tjetër fitore bindëse në UEFA Futsal Champions League 2026/27, duke mposhtur me rezultatin e thellë 9-1 Futsal Club Cardiff në Parkun Olimpik “Feti Borova”. Kampionët e Shqipërisë zhvilluan një ndeshje të kontrolluar dhe me ritëm të lartë, duke siguruar tri pikë të tjera dhe duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve.
Tirana e nisi menjëherë në sulm dhe gjeti golin e parë që në minutën e parë me Maxharraj. I njëjti lojtar realizoi sërish në minutën e 8-të, ndërsa në minutën e 10-të ishte Muca që thelloi avantazhin.
Maxharraj kompletoi një paraqitje fantastike personale duke realizuar edhe tre herë të tjera, në minutat 11, 14 dhe 24, duke e çuar në pesë numrin e golave të tij në këtë sfidë.
Para fundit të pjesës së parë, Kelmendi në minutën e 16-të dhe Plaku në minutën e 19-të realizuan edhe dy gola të tjerë, duke e mbyllur fraksionin e parë me epërsi të thellë për Tiranën.
Në pjesën e dytë, Cardiff gjeti golin e vetëm me Jagpal në minutën e 26-të, por Tirana nuk e uli ritmin. Gjeci shënoi në minutën e 29-të, duke vulosur fitoren 9-1 të kampionëve shqiptarë.
Me këtë rezultat, Tirana Futsal ngjitet në vendin e parë të grupit me 6 pikë, pas dy fitoreve radhazi. Në ndeshjen tjetër të grupit, të zhvilluar sot, APOEL FC Nicosia mposhti Hjørring Futsal Klub me rezultatin 7-6.
Tirana Futsal do ta zhvillojë ndeshjen e fundit të grupit më 29 gusht, në orën 20:45, ndaj Hjørring Futsal Klub, në Parkun Olimpik “Feti Borova”.
Kampionët e Shqipërisë janë vetëm një hap larg sigurimit të vendit të parë, që do t’i kualifikonte në raundin kryesor të UEFA Futsal Champions League.
Kalendari i plotë i ndeshjeve:
Hjørring Futsal Klub 9-2 Futsal Club Cardiff
APOEL FC Nicosia 6-8 Tirana Futsal
APOEL FC Nicosia 7-6 Hjørring Futsal Klub
Tirana Futsal 9-1 Futsal Club Cardiff
Futsal Club Cardiff vs. APOEL FC Nicosia, 29 gusht, ora 17:00, Parku Olimpik “Feti Borova”
Tirana Futsal vs. Hjørring Futsal Klub, 29 gusht, ora 20:45, Parku Olimpik “Feti Borova”
Renditja:
- Tirana Futsal 6 pikë
2. APOEL FC Nicosia 3 pikë
3. Hjørring Futsal Klub 3 pikë
4. Futsal Club Cardiff 0 pikë


