Saturday, October 12, 2024

Humbi ndeshjen e parë si trajner i Bylisit, Nevil Dede, i kënaqur me lojën e skuadrës së tij: Me pushimin e Kombëtares, grupi do të jetë më i plotë, më solid dhe më i rritur nga ana psikologjike e personaliteti

Lexo

Prononcimi i trajnerit të Bylisit, Nevil Dede, pas ndeshjes, Bylis-Elbasani 0-1

“Të jem i sinqertë më vjen keq për çunat, bënë një paraqitje të mirë me një fragment në minutat 50-60 ku Ruçi shpenzoi shumë energji dhe filluam të mos kishim më qartësinë e duhur sidomos në mënyrën se si dilnim. Në shumë situata në ato minuta pasimet po kalonin të thjeshta të Elbasanit. Gjithsesi besoj se bëmë një ndeshje të mirë. Na rëndon rezultati dhe psikologjikisht lojtarët duhet të rriten dhe kjo është e rëndësishmja. Këto tre ditë jam munduar të përcjell që të kenë besim te vetja dhe të kenë personalitet. Në pjesën e parë ishin në gjendjen e duhur, por në 2-3 situata që duhej të bënim mirë, për të ndryshuar ritmin e lojës, nuk ishim si duhet. Të jem i sinqertë është një skuadër që do kohën e saj, mosha mesatare është shumë e re. Unë kur e pranova isha shumë i lumtur për moshën e saj dhe dëshirat që ka, duhet vetëm rezultati dhe besimi që ata të kuptojnë se sa cilësi kanë.

Kur vendosesh 4-4-2 në romb, patjetër do shpenzosh energji. Por mosha mesatare është e re, dëshira, mobilizimi he gjendja fizike duhet të jetë e mirë. Moseksperienca sa duhet e disa lojtarëve, sjell që shpenzimi i energjive është i tillë. Jemi të kondicionuar se ka shumë dëmtime, sidomos Ruçi, që unë jam shumë i kënaqur nga ai sot, por edhe Kasaj. Besoj se fituam dy lojtarë që nuk ishin në gjendjen optimale, por në anën psikologjike mendoj se janë OK se me atë rendiment e kontribut që dhanë, janë mirë.

Nuk kam ardhur të konstatoj këtu, por për të përmirësuar gjërat dhe rritur nivelin e klubit nëpërmjet lojtarëve. Besoj se me pushimin e Kombëtares dhe me ato dy javë bashkë, grupi do të jetë më i plotë, më solid dhe më i rritur nga ana psikologjike e personaliteti, se realisht janë pak zgjidhjet në sulm e mesfushë.

Njohja dhe komunikimi që kam me presidentin e Bylisit, është shumë e largët, ka shumë vite që njihemi dhe diskutojmë shumë për futboll. Në dy rastet e fundit kemi qenë kundërshtarë në të Parën, por kemi respektuar njëri-tjetrin, kemi pasur fatin dhe aftësinë që të dy skuadrat që kam drejtuar dhe Bylisi të ngjitën. Por mua më bindi mosha mesatare, është e rëndësishme se më pëlqen filozofia e këtij klubi që do të rrisë lojtarët me buxhete modeste në krahasim me shumë skuadra në Superiore dhe ka dhënë leksione ndër vite për rritjen e lojtarëve, me ata që janë pjesë e ekipeve kryesore të futbollit shqiptar”, tha për RTSH Dede në përfundim të sfidës.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img