Në një fushë të rënduar dhe nën masa të rrepta sigurie, “Dardanët” kanë marrë fitoren e parë në shtëpi
Fitorja e parë në shtëpi, e dyta radhazi. Pas fitores në transfertë, 0-3 përballë Andorrës, përfaqësuesja e Kosovës ka arritur të gjejë dhe fitoren e parë në “Fadil Vokrri” në këto kualifikuese të “Euro 2024” duke mposhtur Izraelin me rezultatin 1-0, në ndeshjen e prapambetur. Nën masa të rrepta sigurie dhe në një fushë të rënduar, gjithçka u vendos nga një gol i Rashicës në minutën e 41-të me asistimin e Vedat Muriqit.
Në praninë e rreth 3 mijë shikuesve, “Dardanët” zhvilluan një lojë të mirë, duke dominuar kundërshtarin dhe duke krijuar shumë raste, por mungoi finalizimi. Megjithatë, fitorja mbërriti, por që kishte dhe kosto, pasi në minutën e 66-të, sulmuesi Vedat Muriqi u largua nga fusha e lojës i dëmtuar.
Për Kosovën kjo është fitorja e dytë radhazi pas asaj të arritur në Andorrë më 12 tetor me rezultatin 3-0. Ndeshja e radhës është ajo me Zvicrën me 18 nëntor në Bazel, ndërsa më 21 nëntor prêt Bjellorusinë në “Fadil Vokrri”, që do jetë dhe ndeshja mbyllëse e këtyre kualifikueseve.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Gliha tashmë është ngjitur në kuotën e 10 pikëve, vendi i katërt në klasifikimin e Grupit I pas 8 ndeshjeve të luajtura. Izraeli ndodhet në kuotën e 11 pikëve me 7 ndeshje të luajtura, vendi i tretë në grup.