Thursday, April 18, 2024

(Video) EURO 2025 U-21/ Katër shkodranët Geralb Smajli, Marçelino Preka, Elmando Gjini, Ardit Nikaj, pjesë e kombëtares për sfidat me Finlandën & Zvicrën

Lexo

Katër futbollistë shkodranë, Geralb Smajli(Vllaznia), Marçelino Preka(Partizani), Elmando Gjini(Teuta) dhe Ardit Nikaj(Skënderbeu) janë pjesë e listës që trajneri i Kombëtares shqiptare U-21, Alban Bushi ka përzgjedhur për dy ndeshjet kualifikuese të EURO 2025, ndaj Finlandës (22 mars, ora 17:00) dhe Zvicrës (28 mars, ora 17:00).

Trajneri i kuqezinjve nën 21 vjeçarë komentoi listën e 23 lojtarëve të grumbulluar për këto dy sfida të rëndësishme, që do të luhen në stadiumin “Air Albania”. Gjatë një konferencë për mediat dhënë sot në mjediset e FSHF-së,  Alban Bushi u shpreh se ndeshja e parë ndaj Finlandës është sfida më e rëndësishme e këtij grupi sepse një fitore do të rriste premisat për t’u kualifikuar në finalet e kampionatit Europian. Trajneri Bushi tregoi se pse ka ftuar më shumë mbrojtës që luajnë në kampionatin shqiptar, ndërsa foli edhe për dy lojtarët e ftuar rishtaz në Kombëtare, Fetain dhe Jasharin, teksa komentoi edhe mungesën e Cristian Shpendit. Ndër të tjera, tekniku kuqezi kërkon edhe mbështetjen e tifozëve në “Air Albania” për këto dy sfida.

Koment për mbrojtjen që luajnë në kampionatin shqiptar – Janë 10 lojtarë nga kampionati shqiptar. Mbrojtësit po luajnë dhe na japin siguri sepse kemi pasur gjithmonë probleme në mbrojtje. Lojtarët që ju përmendët luajnë vazhdimisht. Mendoj që do të bëjnë mirë sepse kanë minuta në këmbë dhe eksperiencë. Kemi punuar shumë sidomos me repartin e mbrojtjes gjatë kësaj kohe që kemi qenë pushim, duke i dërguar video dhe duke parë kundërshtarin. Mendoj që do të jemi kompaktë në ndeshjen me Finlandën.

Emrat e rinj, Fetai dhe Jashari – si i bindët të përfaqësojnë Kombëtaren shqiptare? – Nuk ka qenë e lehtë ardhja e tyre në kombëtaren shqiptare, sepse kanë pasur shumë kërkesa si nga Maqedonia e Veriut, po ashtu edhe nga Zvicra dhe Kroacia. Dua t’i falënderoj të dy sepse janë dy lojtarë shumë të rinj që janë ditëlindja 2005 dhe janë edhe për dy sezone të tjera me ekipin Shpresa. Fetai është një lojtar me shumë potencial, lojtar i rrallë për pozicionin ku luan dhe lëvizjet që bën në fushë. Mendoj që do të jetë lojtari kyç në mesin e fushës për të gjithë sezonin. Që kur e kam parë videon e parë, më la përshtypje shumë të mira, i ngjan shumë Modriçit edhe për lëvizjet që ai bën në fushë. Vrapon shumë në fushë, është shumë luftarak, sakrifikues dhe besoj se do të bëjë shumë mirë si për ekipin Shpresa, por do jetë një potencial i madh edhe për ekipin A. Të njëjtat fjalë mund të them edhe për Jasharin.

Finlanda? – Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Mendoj që Finlanda është ekipi që luan më bukur futboll, pavarësisht se ndodhet pas nesh. Për mua luan më mirë se Zvicra dhe Rumania. Kjo është ndeshja jonë e jetës, ndeshja jonë e ëndrrave, që ne të shkojmë në Europian. Duhet ta fitojmë patjetër këtë ndeshje. Ne e respektojmë shumë ekipin e Finlandës, është një ekip shumë i mirë. Por ne në tokën tonë jemi shumë të fortë. Toka jonë na jep energji pozitive. Nuk diskutohet që do të japim maksimumin, do të sakrifikojmë shumë. Më vjen mirë që ndeshja do të luhet në stadiumin “Air Albania”, mendoj që do të ketë shumë tifozë, është organizuar shumë mirë edhe nga FSHF. Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Nëse fitojmë këtë ndeshje, është një shans shumë i madh për të zënë vendin e dytë ose të parë në grup.

Ndeshja me Zvicrën – Jemi fokusuar më shumë te ndeshja e parë me Finlandën. Për Zvicrën do të flasim pas ndeshjes së parë. Është një ekip që të lë të luash futboll, mund të krijosh dhe të krijojnë raste. Do të jetë një ndeshje e hapur. Por i gjithë fokusi ynë është te Finlanda sepse duhet të marrim rezultat të mirë me Finlandën.

Rezultatet apo nxjerrja e lojtarëve për Kombëtaren A, kush është objektivi kryesor? – Presion nuk mund të them, pasi jemi shumë komod. Ambicie personale, kolektive, stafi mendon gjithmonë dhe ka ambicie për t’u kualifikuar, patjetër edhe drejtuesit e Drejtorisë Teknike kanë shumë ambicie te U-21 sepse ka lojtarë cilësor. Nuk është që kemi një organikë të mirëfilltë, kemi një organikë të mirë. Janë tre ose katër lojtarë që mund të shkojnë te ekipi A dhe trajneri Silvinjo i sheh me përparësi, por edhe rezultati është i rëndësishëm sepse për lojtarët e vitlindjes 2002, 2003 që të luajnë në Europian është një trampolinë e mire. Ata e dinë rëndësinë e ndeshjes, është e vërtetë që Finlanda na ka mundur atje 4-1, por pavarësisht rezultatit ne kemi luajtur mirë por kemi bërë gabime individuale dhe do mundohemi në këto ndeshje t’i minimizojmë sa më shumë.

Keni grumbulluar Stiven Shpendin që nuk luan prej shumë javësh, a është një problem? – Stiven Shpendi stërvitet në një ekip shumë të mirë në Serinë A me Leçen. Është një lojtarë që shënon gola shumë, por është e vështirë të luash në Serinë A në atë moshë që ka Stiven Shpendi, sepse ka lojtarë me shumë eksperiencë. Sa herë që ai vjen jep maksimumin si në stërvitje po ashtu edhe në ndeshje, është lojtari kryesor i joni. Ai do të luajë në këto ndeshje dhe shpresoj që të shënojë sepse është një djalë që jeton për futbollin pavarësisht se nuk ka minuta me klubin e tij. Më vjen keq që është pezulluar Cristian Shpendi, pasi është dënuar tre ndeshje nga UEFA por gjithsesi lojtarët që kemi në fazën sulmuese po luajnë me klubet e tyre, Rashica po merr shumë minuta te Skënderbeu, Nikaj gjithashtu edhe Kurtulan në Turqi. Kemi lojtarë të fortë, të mirë që kanë cilësi. Unë do të doja që ne të jemi më shumë agresiv në fazën defensive, pasi kur humbim topin nuk jemi shumë agresiv sa është kundërshtari. Ndërsa në momentin që ne shkojmë për të bërë gol ekipi jep maksimumin për të vajtur deri te metri i fundit dhe kur mbrohemi nuk e japin metrin e fundit. Kemi insistuar gjatë gjithë kohës duke i dërguar video lojtarëve që duhet ta bëjnë këtë gjë dhe në momentin që do të jetë ndonjë lojtarë që nuk do ta bëjë, do të dali nga loja që në pjesë e parë. Ne duam lojtarë që të sakrifikojnë edhe në fazën sulmuese edhe në fazën mbrojtëse, vetëm kështu mund t’i përballosh këto ekipe sepse ata në organikë janë më të fortë se ne dhe kur vjen puna për të sakrifikuar në momente të caktuara, sakrifikojnë më shumë se ne dhe kjo na ka penalizuar këto dy ndeshje, në Rumani dhe Finlandë. Kam shumë besim që me Finlandën në “Air Albania” do të bëjmë shumë mirë.

A mund të krijojë një problem psikologjik te lojtarët ndeshjet me rivalët direkt? – Në listë nuk është se kemi ndryshuar shumë lojtarë, pasi është po e njëjta përbërje, por kemi patur dy humbje jo të mira për një ekip Kombëtar. Në Rumani ekipi u shpërbë, ndërsa në Finlandë luajtëm deri në fund por gjithsesi e kemi harruar humbjen. Unë mendoj që në futbollë, si në fitore dhe humbje duhet harruar dita e nesërme. Kjo është gjëja më e mirë pasi futbolli do vazhdimësi dhe këtë e dinë të gjithë sportistët. Mendoj që ndonjëherë në Shqipëri lojtarët motivohen shumë, nga energjia, njerëzit, media etj, por duhet ta japim edhe jashtë maksimumin, pasi nëse nuk merr pikë jashtë është e vështirë të kualifikohesh, gjithsesi do përmirësohemi dhe mendoj që do ndryshojmë.

A keni patur refuzime nga lojtarët që luajnë në Europë? – Është e vështirë, ne kemi negociuar dhe ajo që kërkojmë është që çdo lojtarë të zgjedhi me zemër. Nuk mund të marrësh lojtarë që nuk e ndjejnë fanellën. Deri tani nuk është se kemi patur probleme, por nuk e shoh si problem edhe sikur të thotë jo. Tani kemi marrë dy lojtarë, Jashari dhe Fetai. Dy lojtarë shumë të mirë datëlindja 2005 që do të jenë edhe për dy vite të tjera me shpresat. Ka patur edhe lojtarë që na ka refuzuar, na ka premtuar, por nuk ka ardhur. Gjithsesi nuk ka asnjë problem pasi është brenda rrethit të Shqipërisë dhe nuk ka dalë jashtë saj.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img