Friday, May 3, 2024

(Video-Intervista) Situatë e vështirë tek Ada e Velipojës. Pas rënies në kategorinë e tretë dhe dorëheqjes së presidentit Pjetri, ish portjeri velipojak Besnik Ndoj, është gati të marrë drejtimin e këtij klubi si president dhe kthimin e tij në nivele të larta

Lexo

Sezoni futbollistik 2023-2024 e gjen Adën e Velipojës në një situatë shumë të vështirë. Nga një skuadër me rezultate të kënaqshme në kategorinë e parë, madje duke eleminuar në kompeticionet e Kupave të Shqipërisë skuadra me emër si Dinamo dhe Partizani, vendi i fundit me vetëm dy pikë në kampionatin e kaluar e zbriti këtë skuadër nga kategoria e dytë në të tretën.

Por, përpos rënies në kategorinë inferiore, situata është rënduar edhe më shumë pas deklaratës së dorëheqjes nga ana e presidentit Alfred Pjetri duke rrezikuar seriozisht shkrirjen e një klubi me traditë.

Një situatë kjo që po përjetohet jo mirë nga opinioni sportiv velipojak dhe më gjërë, sepse në këtë klub kanë gjetur hapësira edhe futbollistë dhe trajnerë të njohur nga Shkodra dhe rrethinat e saj.

Njëri prej atyre që po e përjeton aspak mirë këtë situatë është edhe Besnik Ndoj, ish portjeri titullar dhe kapiten i Adës për disa vite me radhë, i cili në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, shqetësimin e tij e shoqëron edhe me deklaratën publike duke qënë i gatshëm të marrë drejtimin e klubit si president.

Sipas Besnik Ndojt, dëshirën dhe kërkesën për ta marrë drejtimin e klubit të Adës ia ka shprehur presidentit Alfred Pjetri duke pritur bashkëpunimin dhe mirëkuptimin me të. Madje, sipas Ndojt, me projektin e tij ambicioz që ka hartuar me miqtë e tij që janë të gatshëm ta mbështesin, riorganizimi i këtij klubi do ta rikthejë Adën në nivele të larta, jo vetem me skuadrën e parë dhe Akademinë Ada, por edhe me infrastrukturën sportive.

Në prononcimin e tij, Besnik Ndoj, gjen rastin të falenderojë Alfred Pjetrin për kontributin disavjeçar si presidenti duke e mbajtuar lart traditën e Adës, por sipas tij, në çdo lloj pune apo sporti në këtë rast, kur mbaron cikli duhet reaguar.

“Përsa i përket çështjes së Adës, unë i kam shprehur zotit Alfred Pjetri disa herë dëshirën për bashkëpunim, sidomos vitin e kaluar para fillimit të sezonit, por nuk është gjetur marrëveshja dhe e shikova të arsyeshme që të tërhiqem sepse jam që në vitin 2011 që po kontribuoj për këtë ekip në shumë mënyra, përfshirë edhe anën financiare nga dëshira e madhe për futbollin në Velipojë duke qënë se kemi një jetë që jemi pjesë e ktij ekipi.”, thotë Besnik Ndoj, një nga ermat e njohur që ka kontribuar për këtë skuadër, jo vetem si sportist por edhe në aspektin financiar.

Ndër të tjera, Besniku vlerëson edhe një koleg të tijin të fushës së lojës, Etrit Nikën, që sipas tij, është veterani kryesor i Adës së Velipojës, ku vetëm një vit ka ndërruar ambient duke luajtur me Burrelin, ndërkohë që për vete thotë se për arsye të punës së tij të biznesit, i është dashur të lëvizë mes Greqisë dhe Velipojës.

Duke folur për fatet e së ardhmes së Adës së Velipojës, Ndoj thotë se ka patur shumë shpresë se se presidenti Pjetrit do të arrinte ta mbante Adën në nivelin e kategorisë së dytë, sepse mundësia e rikthimit në elitë do të ishte disi më e lehtë. Megjithatë, ai pohon se edhe duke qënë pjesë e kategorisë së tretë, ai nuk tërhiqet nga kërkesa e tij për të marrë drejtimin e Adës, me të njëjtat deklarata dhe premtime publike për ta rikthyer klubin velipojak në nivelet e duhura.

Pjesë e intervistës që ish portjeri i njohur i Adës, Besnik Ndoj, dha për Veriu Sport, ishte edhe tradita e sportit në familjen e tij duke ia trashëguar pasionin dy fëmijëve të tij që aktualisht janë pjesë e ekipeve të Akademisë Vllaznia, Alevio dhe Besardo Ndoj, kampion me Vllazninë si dhe titullar edhe me ekipin kombëtar të moshave U-13 dhe U-15, pikërisht në sektorin e portës ku ai ka luajtur për shumë vite te Ada e Velipojës.

(Video) Intervistën e plotë me ish portjerin e njohur të Adës së Velipojës dhe kandidatin për president të KF Ada, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar Veriu Sport-YOUTUBE.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img