Swish Gods(Shkodër)-Landriano(Itali). Kjo ishte finalja e Kampionatit Ndërkombëtar të Basketbollit 3×3 edicioni i 11-të, aktivitet që u zhvillua për katër ditë me radhë në sheshin qëndror të Shkodrës “Nënë Tereza”.

Takimin në fjalë e ka shoqëruar një tifozëri rekord, ku përpos tre tribunave të improvizuara rreth fushës së lojës, të shumtë kanë qënë edhe qytetarët shkodranë që ndërsa bënin xhiron tradicionale në pijacën e Shkodrës, ngadalësonin hapin dhe madje në momentet kulmore të ndeshjes u fiksuan të gjithë pranë fushës së lojës.
Rivaliteti dhe emocionet kanë qënë pa fund ku minuta pas minute, shifrat lëviznin sa në njërin krah tek tjetri. Edhe pse ekipi shkodran Swish Gods me emra të tillë të njohur të basketbollit shkodran, veteranët Damian Bekteshi dhe Gjon Ndoja si dhe të rinjtë e talentuar Kopliku dhe Sinani ishte shumë pranë fitores, në momentet e fundit të krejt ndeshjes, titulli kampion shkoi për ekipin shqiptaro-italian me në kapitenin e skuadrës, Ajet Cahani regjistroi me meritë fitoren.
Fitore kjo që krahas trofeut të kupës, u shoqërua edhe me shpërblimin monetar prej 1 mijë Eurosh.
Përpos emocioneve që përcolli finalja e madhe e titullit kampion, nata e katërt u shoqërua edhe me konkurimin për gjuajtësin më të mirë nga distanca të zonës së tre pikëshit, por edhe për zhytësin më të mirë në kosh, ndëkohë që pati garë edhe nga publiku, ku për fituesit u shpërndanë stimuj material nga organizatorët.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, drejtuesit e Shoqatës Kombëtare të Basketit 3×3, shkodranët Roni Gjeçaj dhe Antonio Shabani, si dhe kapiteni i ekipit kampion, Ajet Cahani shprehen të kënaqur për mbarëvajtjen dhe emocionet që dhuroi kampionati në ediciopnin e 11-të tij.
(Video) Të plota prononcimet e organizatorëve Roni Gjeçaj dhe Antonio Shabanit si dhe të kapitenit të ekipit kampion, Ajet Cahani, së bashku me ndeshjen e plotë finale, Swish Gods(Shkodër)-Landriano(Itali). mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


