Kombëtarja shqiptare e vajzave do të luajë më 9 tetor sfidën e parë historike ndaj Uellsit, në kuadër të Play-off-it të Botërorit. Vajzat kuqezi vijojnë përgatitjet në Shkodër, me fokus të plotë te kjo përballje e rëndësishme, ndërsa synimi është një paraqitje sa më e mirë dhe një rezultat pozitiv përpara ndeshjes së kthimit.
Në prag të kësaj sfide, Klea Hamonikaj dhe Arbiona Bajraktari kanë folur për fshf.org, duke vlerësuar gjendjen e skuadrës, forcën e grupit dhe rëndësinë e mbështetjes së tifozëve në këtë moment historik.
Hamonikaj thekson se grupi është i bashkuar dhe se të gjitha vajzat e dinë rëndësinë e këtij momenti historik.
“Janë dy ndeshje shumë të vështira dhe shumë të rëndësishme. Secila nga vajzat e di rëndësinë e kësaj ndeshjeje, sepse ne luajmë për herë të parë dhe është historike. Mendoj që do të shkojë mirë, jemi me besim. Jemi një grup i bashkuar dhe na janë afruar dy elementët që na kanë munguar prej kohësh si Elezaj dhe Krasniqi. Do japim maksimumin dhe urojmë që edhe rezultati të jetë ai që duam”, – shprehet ajo.
Përballë Uellsit, Hamonikaj vlerëson se Shqipëria do ta përjetojë këtë sfidë si një eksperiencë të re, duke synuar të luajë pa presion dhe të shijojë këtë moment.
“Patjetër që te Uellsi, pasi ne vijmë për herë të parë dhe nuk kemi asgjë për të humbur. Është një eksperiencë e re, duam ta shijojmë fillimisht dhe më pas pse jo edhe rezultati të jetë në anën tonë dhe të bëjmë diçka historike. Mendoj që kjo herë do të jetë ndryshe dhe tifozeria do të jetë aty për të na mbështetur sa më shumë”, – shton Hamonikaj.
Edhe Arbiona Bajraktari e konsideron këtë një moment të rëndësishëm për Kombëtaren shqiptare të vajzave, duke vlerësuar përgatitjen e skuadrës dhe angazhimin e futbollisteve në klubet e tyre.
“Ndeshjet janë mjaft të rëndësishme, duke marrë parasysh që kemi bërë një arritje shumë të madhe si Kombëtare, është edhe vlerësimi maksimal i këtyre ndeshjeve. Vajzat janë në gjendje shumë të mirë. Secila prej tyre ka angazhimin në kampionatet e tyre dhe janë të përgatitura 100% për këto dy ndeshje”, – thotë Bajraktari.
Duke folur për Uellsin, ajo thekson se skuadra e njeh kundërshtarin dhe synon të përsërisë paraqitjen pozitive të bërë në “Loro Boriçi”.
“Është një ndeshje shumë e vështirë, por ne e njohim kundërshtarin dhe shpresoj të arrijmë maksimumin në atë ndeshje. Në ndeshjen e fundit që kemi luajtur në ‘Loro Boriçi’ ishte një ndeshje shumë pozitive, pavarësisht rezultatit. Ishte një ndeshje e fortë, luajtëm si të barabarta deri në fund të ndeshjes. Shpresoj që të bëjmë po të njëjtën ndeshje dhe të marrim një fitore që të shkojmë atje më të qeta”, – përfundon Bajraktari.
Kombëtarja shqiptare e vajzave vijon përgatitjet në Shkodër, me fokus të plotë te sfida e parë ndaj Uellsit, që do të luhet më 9 tetor, në orën 18:00.


