Shqipëri-Mali i Zi 5-2(Shënues: Megi Doçi (2), Fortesa Berisha, Gresa Berisha, Arbiona Bajraktari)
Formacioni i Kombëtares së Shqipërisë: Rajmonda Spahiu (GK), Klea Hamonikaj, Arbiona Bajraktari, Mikaela Metalla, Alma Hilaj, Arbenita Curraj, Ezmiralda Franja, Ilarja Zarka, Vanesa Levendi, Fortesa Berisha, Megi Doçi (c). Trajner: Armir Grima
Kombëtarja e vajzave shkroi një tjetër faqe të rëndësishme në historinë e saj, duke triumfuar me rezultatin 5-2 ndaj Malit të Zi në stadiumin “Loro Boriçi” dhe duke siguruar kualifikimin në raundin e parë të play-off-it të kualifikueseve të Botërorit 2027.
Vajzat kuqezi zhvilluan një paraqitje të shkëlqyer nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, duke përmbysur rezultatin dhe duke dominuar takimin përballë tifozëve shqiptarë. Golat e fitores u realizuan nga Megi Doçi (2), Fortesa Berisha, Gresa Berisha dhe Arbiona Bajraktari. Trajneri Grima e nisi ndeshjen me këtë formacion:
Rajmonda Spahiu (GK), Klea Hamonikaj, Arbiona Bajraktari, Mikaela Metalla, Alma Hilaj, Arbenita Curraj, Ezmiralda Franja, Ilarja Zarka, Vanesa Levendi, Fortesa Berisha dhe Megi Doçi (c).
Kombëtarja jonë e nis ndeshjen në sulm dhe rrezikon portën kundërshtare që në minutën e katërt. Një goditje e Fortesa Berishës ndalet nga traversa, duke i mohuar skuadrës sonë golin e avantazhit.
Vajzat kuqezi vazhdojnë të ushtrojnë presion dhe krijojnë raste të tjera të mira shënimi në minutat 11-të dhe 12-të, fillimisht me Ezmiralda Franjen dhe më pas me Fortesa Berishën, por pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës.
Në minutën e 13-të është sërish Berisha që provon përpara portës, por tentativa e saj nuk konkretizohet në gol. Disa raste të pastra për skuadrën tonë, por pa fat në finalizim.
Malazezet kalojnë në avantazh në minutën e 20-të, por reagimi i skuadrës sonë është i menjëhershëm. Kapitenia Megi Doçi del përpara portës për të kontrolluar një top të gjatë dhe pengohet nga portierja kundërshtare. Gjyqtarja akordon penallti në favor të Shqipërisë dhe ndëshkon me karton të kuq portieren malazeze, duke lënë kundërshtaret me 10 lojtare. Nga pika e bardhë nuk gabon Megi Doçi, e cila në minutën e 22-të rikthen baraspeshën në rezultat, 1-1.
Skuadra jonë vazhdon të kërkojë golin e avantazhit, duke rrezikuar sërish me Fortesa Berishën dhe më pas me Ilarja Zarkën, por pa arritur të finalizojë.
Megjithatë, në minutën e 45-të janë sërish malazezet që gjejnë golin dhe rikthehen në avantazhin 1-2.
Fortesa Berisha rikthen ekuilibrat pak çaste më vonë pas një aksioni model të ndërtuar nga Megi Doçi. Kapitenia pason në krahun e djathtë për Klea Hamonikajn, e cila dërgon topin në zonë për Berishën. Sulmuesja kuqezi këtë herë nuk gabon dhe dërgon topin në rrjetë për rezultatin 2-2, me të cilin mbyllet pjesa e parë.
Pjesa e dytë nisi me Shqipërinë më kërkuese dhe dominuese në lojë, me vajzat kuqezi që kontrolluan ritmin e takimit dhe krijuan vazhdimisht situata të rrezikshme përpara portës kundërshtare.
Goli i përmbysjes erdhi në minutën e 63-të, kur kapitenia Megi Doçi provoi nga distanca dhe gjeti rrjetën me një goditje të bukur, duke befasuar portieren dhe mbrojtjen malazeze. Një gol me peshë që i dha avantazhin Shqipërisë dhe kompletoi dopietën personale të kapitenes kuqezi.
Dominimi i skuadrës së Armir Grimës vazhdoi edhe në vijim. Në minutën e 67-të, Gresa Berisha shënoi golin e katërt për Shqipërinë pas një asisti elegant të Ezmiralda Franjës, duke i dhënë skuadrës një avantazh të rëndësishëm.
Vetëm tre minuta më vonë, vajzat kuqezi shënuan sërish. Këtë herë ishte mbrojtësja Arbiona Bajraktari që gjeti rrjetën pas një tjetër asisti të saktë nga Ezmiralda Franja, duke vulosur rezultatin përfundimtar 5-2 dhe një mbrëmje të paharrueshme për Kombëtaren shqiptare të vajzave.
Falë kësaj fitoreje dhe tre pikëve të fituara ndaj Malit të Zi, Shqipëria siguron kualifikimin në raundin e parë të play-off-it të kualifikueseve të Botërorit 2027 për vajza, konfirmon qëndrimin në Ligën B dhe vendos një rekord të ri, duke grumbulluar për herë të parë 7 pikë në një grup të Ligës B. Një arritje tjetër e rëndësishme për Kombëtaren e vajzave, që vijon të shkruajë historinë dhe të konfirmojë progresin e futbollit të vajzave në vendin tonë.


