(Video) Tërbuni, arrin objektivin. Fitorja në transfertë me Basanian e kualifikon në Play-Off. Trajneri Suta, optimist në përballjen e radhës ndaj Sopotit të Librazhdit

Lexo

- Reklamë -spot_img

Me ndeshjet e javës së 22-të të luajtura të shtunën dhe të dielën, Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Dytë ka mbyllur dy fazat e para duke përcaktuar dy skuadrat fituese në të dy grupet përkatëse, Besëlidhjen në grupin A dhe Orikun në grupin B, të cilat automatikisht kanë fituar të drejtën e konkurimit sezonin e ardhshem në kategorinë e Parë.

Dy skuadra këto që do të ketë edhe një përballje direkte javën e ardhshme për të përcaktuar ekipin kampion të kategorisë së dytë.

Ndërkohë, për skuadrat e tjera të renditura nga vendi i dytë deri tek i pesti, gara për të fituar një “biletë” të kategorisë së parë vijon me ndeshjet gjysmëfinale të fazës Play-Off. Në grupin A, këtë të drejtë e kanë fituar Sopoti, Shiroka, Erzeni dhe Tërbuni i Pukës.

Pukjanët,  ndeshjen e fundit e luajtën në transfertë me Basanian e Bushatit. Një sfidë kjo me shumë peshë dhe emocione ku FK Tërbuni arriti një fitore të çmuar në transfertë ndaj ekipit bushatas me rezultatin minimal 0-1.

Takimi i zhvilluar në fushën e Basanias nisi me ritëm të kujdesshëm nga të dyja skuadrat, të cilat dukeshin të përqendruara maksimalisht për të mos gabuar.

Pjesa e parë u karakterizua nga një lojë e balancuar, me pak raste të pastra shënimi, duke u mbyllur me rrjeta të paprekura 0-0.

Në pjesën e dytë, Tërbuni u shfaq më kërkues dhe më këmbëngulës në sulm, duke rritur presionin mbi mbrojtjen vendase. Përpjekjet e ekipit u shpërblyen me golin vendimtar të realizuar nga futbollisti Zëre, i cili shfrytëzoi një moment të favorshëm për të dërguar topin në rrjetë dhe për t’i dhënë avantazhin skuadrës së tij.

Deri në fund të takimit, Tërbuni administroi me zgjuarsi rezultatin, duke ruajtur epërsinë dhe duke siguruar tre pikë tepër të rëndësishme.

Me këtë fitore, FK Tërbuni vulos pjesëmarrjen në fazën “Play-Off”, ku do të përballet me FK Sopotin.

Ndeshja pritet të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, në një datë që do të konfirmohet nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Një sukses i merituar për Tërbunin, që tashmë synon hapin e radhës drejt objektivave madhorë të sezonit.

Për teknikun pukjan Anxhelo Suta, ndonëse faza e parë nuk shkoi mirë, në të dytën Tërbuni bëri një paraqitje të mirë dhe ia arriti qëllimit të jetë pjesë e fazës Play-Off.

(Video) Goli i fitores shënuar nga Marindis Zere(me koment), si dhe prononcimi i trajnerit të Tërbunit Anxhelo Suta pas ndeshjes,  Tërbuni-Basania 0-1

Fadil HYSENI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img