Vllaznia B, fituese e grupit A të Kategorisë së Tretë dhe Albpetroli, fitues i grupit B, të cilat sezonoin e ardhshëm kanë fituar të drejtën të konkurojnë në Kategorinë e Dytë, do të ndeshen nesër(e premte) në finale e madhe për të përcaktuar ekipin kampion të kësaj kategorie.
Vllaznia B e drejtuar nga trajnerët Brikeno Bizi dhe Ersi Çaku ka mbyllur një sezon fantastik duke dominuar Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Tretë, teksa në 24 ndeshje ka një bilanc shumë pozitiv, me 22 fitore dhe vetëm dy barazime. Me këto rezultate, Vllaznia B, konkuruese e grupit A, realizoi objektivin e deklaruar që në nisje të sezonit për kualifikimin në Kategorinë e Dytë të futbollit shqiptar.
Por, për ta mbyllur përfundimisht, FSHF, ka në program edhe një ndeshje të fundit, finalen për të shpallur ekipin kampion mes dy fituesve të grupeve, Vllaznisë B në grupin A dhe Albpetrol në grupin B.
Ndeshje kjo, e cila do të zhvillohet pasditen e së premtes në stadiumin “Shtëpia e Futbollit” duke nisur nga ora 15:00 pranë selisë së Federatës Shqiptare të Futbollit, Tiranë, të cilën trajneri Bizi kërkon ta fitojë për të sjellë titullin kampion në Shkodër.
Një gjë të tillë profesor Bizi, e deklaroi në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, ku ndër të tjera, ftoi tifozërinë shkodrane ta mbështesë skuadrën në këtë finale.
Për suksesin e arritur në këtë sezon, tekniku i Vllaznisë B, Brikeno Bizi, gjen vend të falenderojë mbështetësit, kolegun e tij Ersi Çaku, futbollistët, stafin e ekipit të parë të Vllaznisë, trajnerin Edi Martini dhe drejtorin sportiv Vioresin Sinani, si dhe presidentin e KF Vllaznia Alban Xhaferi, duke deklaruar se futbollistët e Vllaznisë B, janë të vetmit në Kategorinë e Tretë që paguhen rregullisht nga klubi kuqeblu.
(Video) Pamjet nga seanca stërvitore e Vllaznisë B, e fundit para nisjes drejt Tiranës për finale, si dhe prononcimin e plotë të trajnerit Brikeno Bizi, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


