Thursday, April 25, 2024

(Video-Intervista) Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, beson shumë tek aftësitë e trajnerit Miloti për ndryshimin e situatës në skuadër

Lexo

Që presidenti i klubit kuqeblu, Alban Xhaferi, e ndjek skuadrën, si në stërvitje dhe ndeshje, kjo nuk është ndonjë gjë e re. Madje, ai shikohet të jetë vazhdimisht i pranishëm edhe në proçesin stërvitor si dhe ndeshjet zyrtare të ekipeve të moshave të Akademisë së Futbollit Vllaznia. Por, realisht, në këtë fazë delikate që po kalon Vllaznia, kur pas humbjes në Laç ka lëshuar shumë terren në luftën për titullin kampion, njëshi i klubit kuqeblu e ka shtuar edhe më shumë vemendjen dhe përkujdesjen ndaj skuadrës.

Ndaj, edhe sot në seancën stërvitore të pasditës së mërkurë, ai nuk vonoi të mbërrinte në fushën stërvitore kompleksin sportiv “Hasaj” në Golem të periferisë së Shkodrës për të ndjekur prej së afërmi skuadren që ai financon.

Së bashku me të zakonshmit që e shoqërojnë vazhdimisht, sekretarin e përgjithshëm të klubit, Blendi Dibra, si dhe kreun e Bordit Mbiqyrës të presidences, Artan Brahimi, ishte edhe sponsori gjeneral i KF Vllaznia, Gjon Pepaj, drejtues i kompanisë “Hospital One”, i njohur edhe si një tifoz i flaktë i Vllaznisë.

Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, njëshi i klubit Vllaznia, Alban Xhaferi, është i mendimit se zgjedhja e bërë nga ana e presidencës, për emërimin e Auron Milotit trajner të parë, Vioresin Sinanit drejtor sportiv, së bashku me pjesën tjetër të stafit, Ergi Borshi zëvendëstrajner, Ideal Lekiqi trajner i portjerëve, dhe Ardit Manin videoanalist, ka qënë më e mira e mundshme.

Sipas Xhaferit, në tre ditët e para stërvitore me Milotin në krye, duket se ka një atmosferë ndryshe në skuadër. Madje, duke vlerësuar aftësitë dhe përvojën e Milotit si futbollist dhe si trajner, në Shqipëri dhe Austri, është shumë optimist se rezultatet pozitive do të rikthehen që në ndeshjen e radhës me Bylisin fundjavën e ardhshme.

Në vijim, Xhaferi prek edhe dyshen e shumëkomentuar, Latifi-Vulaj. Për të parin, ai bën të ditur se vendimi i klubit për ndëshkimin e tij, është konsumuar dhe tashmë është i gatshëm për trajnerin Miloti. Po ashtu, edhe për Vulajn, rruga pritet të jetë e hapur, gjithnjë nëse ashtu si edhe Latifi, marrin besimin e stafit teknik për të luajtur në formacion.

Krahas të tjerave, Xhaferi, konfirmon, se pavarësisht luhatjes së ndeshjeve të fundit, Vllaznia do të vijojë të luftojë për fitimin e titullit kampion si dhe fitimin e Kupës së Shqipërisë.

(Video) Intervistën e plotë në video me presidentin Alban Xhaferi, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar Veriu Sport në Youtube.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img