Friday, October 11, 2024

(Video)Vllaznia-Laçi, të premten ora 17:00, në “Loro Boriçi. Tekniku Osmani, optimist për rezultat pozitiv: Na duhet patjetër fitorja!

Lexo

E nisur të enjten me tre duelet e para, Egnatia-Partizani,  Dinamo-Erzeni dhe Tirana-Kukësi, java e 13-të e Abissnet Superiore vijon të premten me dy sfidat e tjera, Vllaznia-Laçi, dhe Skënderbeu-Teuta. 24 orë përpara kësaj ndeshje, ka qënë trajneri kuqeblu, Qatip Osmani, i cili në konferencën e shtypit organizuar në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”, shprehi besim të plotë për fitore.

“Ndërprerja e kampionatit na ka vlejtur, pasi kemi pasur kohën e duhur për t’u njohur me njëri-tjetrin. Të njihemi me metodën që praktikojmë ne si trajnerë. Jemi të gatshëm për ndeshjen me Laçin. Duke ditur pozitën ku jemi, fitorja është opsioni i vetëm për Vllazninë në këtë takim”, tha fillimisht Osmani.

Për sfidën me Laçin, mungon kapiteni Balaj i skualifikuar me katër kartonë të verdhë, por jashtë mbetet e Esat Mala.

“Mala është në pikëpyetje, Bala mungon prej kartonëve. Kështu që nga pauza kemi rikuperuar vetëm Hakajn. Sa i përket Bruno Gomeshit gjasat janë që ai ta nisë nga minuta e parë, por ende nuk kemi vendosur. Ai e tregoi veten në ndeshjen brenda grupit që kemi zhvilluar, ndaj ndoshta do të jetë opsioni i parë ndaj Laçit.”, tha tekniku Qatip Osmani, ndërsa komentoi edhe ardhjen e drejtorit të ri sportiv, Tefik Osmani.

“Unë i uroj punë të mbarë drejtorit të ri. Jam në bisedime me atë çdo ditë. Bisedojmë për gjendjen aktuale të ekipit dhe po mundohemi që të jemi sa më të qetë, pasi takimi me Laçin është me shumë rëndësi. Jo se vendoset kampionati me këtë takim, por ka rëndësi për ecurinë në vazhdimësi. Dy Osmanë? Është një koeçidencë kjo që ndodh dhe koha do të tregojë sa funksionalë do të jemi .”

Pozicioni në fundin e tabelës së klasifikimit e vë nën presion skuadrën për këtë ndeshje ku asnjë rezultat tjetër përpos fitores nuk konsiderohet pozitiv.

“Puna jonë është e tillë, ngarkesa dhe emocione ka çdo ndeshje. Është situata ku duhet patjetër fitorja. Gjithsesi si ekip duhet ta përballojmë sa më të qetë, por kjo punë ka gjithmonë ngarkesë, aq më shumë për një klub që ka ambicie të mëdha. Duhet të mësohemi me këto ngarkesa.”, u përgjigj Osmani për këtë pikë.

Duke folur për skuadrën kundërshtare, tekniku kuqeblu, nuk nguroi ntë vlerësoi kurbinasit. “Bëhet fjalë për një ekip të mirë ku janë të kombinuar lojtarët e rinj me ata me përvojë. Mendoj se përparësia e Vlalznisë është fusha dhe  ndoshta ambiciet. Laçi ka respektin e duhur nga Vllaznia.”, tha Osmani, ndërkohë që sa i përket përshtatjes së ekipit të tij, shtoi:”Është ende herët për të thënë se përshtatja është ashtu siç e duan trajnerët. Besoj që nesër do të shikohet, nuk mund të them përmirësim, por ndryshim  nga ndeshet e kaluara.”

Në mbyllje tekniku kuqeblu foliu edhe për kualifikimin e kombëtares kuqezi në Euro 2024. “Edhe ne na gëzon fakti që Shqipëria është në Europian. Të gjithë mburremi me rezultate e Shqipërisë dhe i uroj paraqitje sa më të mirë në Europian. Kanë  bërë një p[unë të madhe dhe mirë.”

(Video) Prononcimi i trajnerit të Vllaznisë, Qatip Osmani, një ditë përpara përballjes me Laçin. Java e 13-të Abissnet Superiore.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img