Wednesday, April 24, 2024

Vjen fitorja e katërt radhazi për Vllazninë e volejbollit femra. Kuqeblutë mundin 3-1 Barletin Volej në “Qazim Dervishi”

Lexo

Vllaznia-Barleti Volej 3-1

(21-25, 26-24, 25-12, 25-11)

Vllaznia: Paola Gjyshja, Klea Miloti, Laura Ballçiti, Edna Erkoçi, Sarah Beci, Liridona Kodra,  Hanna Kniazeva, Dayra Cauramchyk, Liubov Pronina, Sara Malaj.Trajner: Besnik Lisha-Dorian Tafa

Kanë marrë fund humbjet për Vllazninë e volejbollit femra. Pa tre të tillave, vijnë katër fitore radhazi. E fundit është kjo e sotmja e luajtur mbrëmjen e së premtes në Pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës.

Një ndeshje që nisi në mënyrën më të mirë për skuadrën mike, e cila duke pasur kontributin e volejbollistes me përvojë, Esmeralda Tuci, që më herët ka luajtur edhe për Vllazninë, arrin të kryesojë në pjesën më të madhe të këtij seti. Volejbollistet e Barleti volej të drejtuara nga trajneri Altin Gorenxa dhe kolegja e tij Junida Pogoni, arrijnë të fitojnë me meritë setin e parë me rezultatin 21-25.

Në ndryshim nga i pari, seti i dytë karakterizohet nga rivalitet i fortë në mes të dyja skuadrave. Barleti Volej kërkon fitoren e setit të dytë për ta thelluar avantazhin në 0-2. Ndërkohë, Vllaznia e drejtuar nga trajnerët Besnik Lisha dhe kolegu i tij Dorjan Tafa këmbëngul të marrë këtë set për të barazpeshuar rezultatin e seteve.

Për hirë të së vertetes, mikeshat nga Tirana arrijnë të jenë në udhëheqje të rezultatit edhe në këtë set të dytë. Megjithatë, pas pikës së 14-të, barazimet vijojnë të jenë prezente, madje skuadra kuqeblu arrin të kalojë edhe në avantazh.

Pikët vendimtare të setit janë më emocionuesit. Sidomos, kur Barleti Volej kryeson në shifrat 24-23. Atëherë kur mikeshat nga Tirana presin t’i gëzohen fitores edhe të setit të dytë, vjen përmbysja në favor të Vllaznisë, e cila arrin të fitojë setin e dytë 26-24.

Fitimi i setit të dytë dhe barazpesha me sete 1-1 ndikon pozitivisht për skuadrën kuqeblu, e cila në dy setet e mëvonshme dominon totalisht ndaj Barleti Volej. Falë edhe një rënie të theksuar të skuadrës kundërshtare shoqëruar me disa gabime radhazi, fiton lehtësisht setin e tretë 25 me 11, duke marrë kryesimin me sete 2-1.

Seti i katërt, vendimtari për fitoren e krejt ndeshjes për Vllaznisë, apo një mundësi barazimi për Barletin duke kërkuar të çojë ndeshjen me set shtesë, është fotokopje e setit të tretë.

Volejbollistet kuqeblu janë të papërmbajtshme. Me një mbrojtje të kujdesshme dhe sulm të fuqishëm, shënojnë pikë pas pike, duke e fituar këtë set 25-11 dhe krejt ndeshjen me rezultatin 3-1. Fitore kjo e rëndësishme, e cila fikson suksesin e katërt radhazi duke dhënë sinjalet e një skuadre në ripërtëritje e sipër për t’u kthyer në pozitat e pretendentes për trofe, ashtu siç është deklaruar në fillim të sezonit.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img