Friday, May 3, 2024

Vllaznia, dy ndeshje brenda javës në “Loro Boriçi”, ndaj Flamurtarit për Kupë dhe Teutës për Kampionat

Lexo

Rikthimi i ndeshjeve çerekfinale të Kupës së Shqipërisë për ndeshjet e mesjavës ka bërë që skuadra kuqeblu të jetë jo pak e ngarkuar këtë javë. Që prej së martës ajo ka nisur përgatitet intensive për të përballuar dy ndeshje brenda kësaj jave. E para ka të bëjë me kompeticionin e Kupës së Shqipërisë, ku në kuadrin e ndeshjeve çerekfinale, Vllaznia pret në stadiumin “Loro Boriçi” Flamurtarin e Vlorës, të cilin në ndeshjen e parë e ka mundur me rezultatin 1 me 2.

Ndërkohë, e dyta do të jetë të dielen përsëri në “Loro Boriçi” duke u përballur me Teutën e Durrësit për javën e 20-të të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Abissnet Superiore. Megjithatë, edhe pse ndeshja e së dieles paraqet një rëndësi më të madhe, pasi luhet ndaj kampiones në fuqi Teuta, paraprakisht stafi teknik me në krye trajnerin Thomas Brdariç është përqëndruar për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë. Sinjalet që vijnë nga Vlora janë kërcënuese për skuadrën kuqeblu.

Kapiteni Andi Ribaj, një ish i Vllaznisë, përfshirë edhe shkodranët Olsi Gocaj, Denis Pjeshka, Behar Ramadani, por edhe të tjerë emra që kanë luajtur më herët në Superiore që janë aktualisht pjesë e Fllamurtarit, nuk duan t’ia dinë që luajnë dy kategori më poshtë, duke kërkuar të bëjnë surprizën në Shkodër. Është kjo arsyeja, që drejtuesit kuqeblu kanë kërkuar vlerësim maksimal për këtë ndeshje në mënyrë që kualifikimi në gjysëmfinale të mos vihet në diskutim.

Gjithnjë, lidhur me këtë ndeshje, presidenca e Vllaznisë ka vendosur t’i bëjë një dhuratë tifozëve kuqeblu duke hapur dyert e stadiumit “Loro Boriçi” me hyrje të lirë.

Ndërkohë, menjëherë pas ndeshjes së Kupës me Flamurtarin, kuqeblutë do të kenë vetëm dy ditë në dispozicion për të përgatitur sfidën e fundjavës me Teutën e Durrësit, takim që do të luhet ditën e diele në “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 16.45.

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img