Pas humbjes në ndeshjen e parë të “Final 4”, te Vllaznia priten lëvizje të rëndësishme për sfidën e dytë ndaj Egnatias. Skuadra shkodrane duket e detyruar të ndërhyjë jo vetëm për shkak të rezultatit të takimit të parë, por edhe për mungesat dhe formën e disa lojtarëve që nuk arritën të japin atë që pritej në fushë fundjavën e kaluar.
Trajneri pritet të bëjë ndryshime si në formacion, ashtu edhe në mënyrën e interpretimit të lojës. Një nga mungesat më të rëndësishme do të jetë ajo e Melos Bajrami, i cili nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e dytë pas kartonit të kuq të marrë pikërisht ndaj Egnatias. Pezullimi i tij pritet të sjellë ndryshime në repartin mbrojtës, aty ku kuqeblutë kanë pasur vështirësi edhe në menaxhimin e momenteve të lojës gjatë javëve të fundit.
Në stafin teknik po shqyrtohen alternativa të ndryshme për të mbuluar mungesën e tij. Ndërkohë, paraqitja e disa titullarëve në takimin e parë nuk ka bindur. Për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që disa lojtarë të nisin nga stoli, ndërsa minuta mund t’u besohen futbollistëve që kanë pasur më pak hapësira në javët e fundit. Qëllimi i stafit duket të jetë rritja e ritmit dhe agresivitetit në lojë, elementë që kanë munguar në ndeshjet e fundit të kampionatit. Përtej emrave, duket se një rishikim do të ketë edhe skema e lojës së Vllaznisë. Skuadra është shfaqur shpesh e lexueshme nga kundërshtarët dhe me pak rrezikshmëri në fazën sulmuese.
Lëvizjet kanë qenë të parashikueshme, ndërsa ndërtimi i aksioneve ka hasur vështirësi përballë skuadrave që mbrohen mirë dhe ushtrojnë presion në mesfushë. Pikërisht këto elementë pritet të analizohen me kujdes para përballjes së ardhshme. Ndeshja e dytë e “Final 4” konsiderohet vendimtare për vazhdimësinë e objektivave të shkodranëve këtë sezon. Për të dhënë një reagim bindës dhe për të mbajtur gjallë pretendimet për titullin kampion, Vllaznia duket se do të paraqitet me një tjetër qasje në fushë. Ndryshimet pritet të jenë të dukshme që nga minuta e parë, në përpjekje për të rikthyer besimin dhe për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Egnatias.
GOLI – Kriza e golit po kthehet në shqetësimin më të madh te Vllaznia në momentin më delikat të sezonit. Kuqeblutë duken se kanë humbur instinktin përpara portës kundërshtare, ndërsa loja sulmuese e skuadrës së Martinit po shfaq gjithnjë e më shumë probleme. Humbja e fundit 0-2 ndaj Dinamos ishte një tjetër sinjal alarmi për shkodranët, të cilët vazhdojnë të vuajnë seriozisht në fazën ofensive. Përtej rezultatit, ajo që shqetëson më shumë është mungesa e ideve dhe pafuqia për të krijuar raste të pastra për gol. Ndeshja ndaj Dinamos konfirmoi një problem që po zgjat prej javësh. Vllaznia qarkullon topin, mundohet të kontrollojë ritmin e lojës, por sapo afrohet në zonën kundërshtare, skuadra humbet qartësinë dhe agresivitetin. Sulmet janë bërë të lexueshme, ndërsa kundërshtarët tashmë duket se e kanë të qartë mënyrën sesi mund të neutralizojnë repartin ofensiv të kuqebluve. Shkodranët japin përshtypjen e një skuadre që lodhet shumë për të mbërritur te porta dhe prodhon shumë pak për të merituar golin.
KRIZA – Shifrat e fazës së katërt e tregojnë qartë krizën që po kalon Vllaznia. Vetëm 6 gola të shënuar në 9 ndeshje janë shumë pak për një ekip që synon titullin kampion. Këto gola kanë ardhur në fitoret minimale 1-0 ndaj Teutës, 0-2 kundër Partizanit dhe 2-0 ndaj Flamurtarit, si dhe në humbjen 3-1 përballë Elbasanit. Një bilanc që nxjerr në pah vështirësitë e mëdha të skuadrës për të qenë konstante dhe efikase në repartin ofensiv. Mungesat e Bismark dhe Kastratit kanë ndikuar ndjeshëm në uljen e rrezikshmërisë së Vllaznisë në sulm. Pa shpejtësinë, depërtimet dhe forcën e tyre në duelet individuale, skuadra ka humbur shumë nga dinamika në fazën përpara.
Sulmi duket më statik, më i ngadaltë dhe pa fantazi, ndërsa kundërshtarët arrijnë ta mbajnë nën kontroll me shumë lehtësi. Në shumë raste, kuqeblutë japin ndjesinë e një skuadre “sterile”, që mban topin, por nuk arrin të godasë aty ku duhet. Edhe individët që pritej të merrnin përsipër peshën e repartit ofensiv po kalojnë një moment të errët. Bekim Balaj numëron tashmë 13 ndeshje pa gjetur rrugën e rrjetës mes kampionatit dhe Kupës, ndërsa Kevin Dodaj ka 7 takime pa gol.
Edhe Esat Mala vazhdon të jetë larg versionit të tij më të mirë me 19 ndeshje pa realizim, teksa Sherif Kallaku ka mbetur në “agjërim” prej 18 sfidash. Statistika që flasin qartë për bllokimin psikologjik dhe mungesën e formës së lojtarëve kryesorë të repartit ofensiv. Nëse Vllaznia dëshiron të mbetet në garë për titullin kampion, reagimi duhet të vijë menjëherë. Martini dhe stafi i tij teknik janë të detyruar të gjejnë zgjidhjen për një skuadër që po humbet forcën më të rëndësishme në futboll: golin. Koha për justifikime duket se ka mbaruar dhe tashmë kuqeblutë duhet të rikthejnë besimin, guximin dhe efikasitetin para portës. Sepse në këtë fazë të sezonit, pa gola nuk mund të ketë as fitore dhe aq më pak ëndrra për titull.
Endri ÇINARI


