Friday, May 3, 2024

Vllaznia-Mesazhi i ish kapitenit Belisha për sulmuesin Çoba: Mos të merret me publikun, të mbaj presionin, mundësia i është dhënë, po e justifikon, golat i bën, sepse përndryshe do të dëmtojë vetem veten e tij!

Lexo

 

Ish kapiteni i Vllaznisë, Amarildo Belisha, një nga futbollistët më me përvojë të Vllaznisë dhe skuadrave të tjera të futbollit shqiptar, ishte i ftuar mbrëmjen e së mërkurës në emisionin Studio Sport-RTSH Shkodra, ku ndër të tjera duke folur për situatën tek Vllaznia, u ndal tek një temë që ndeshet jo pak herë tek futbollistët. Fjala është tek raportet që ato kanë me publikun, ku krahas përgëzimeve dhe duartrokitjeve, ka raste që tifozët edhe kritikojnë futbollistët. Dhe, në këto raste, sipas Belishës, ku ai dhe kolegët e brezit të tij e kanë provuar vete mbi supe, futbollisti duhet të mbyllë veshët, të ulë kokën dhe të vazhdojë punën për ta rifituar përsëri tifozin.

“Meqë jemi tek situata e skuadrës, dua ta këshillojë paksa edhe Çobën, pasi ka bërë një deklaratë jo shumë korrekte në raport me publikun: Vllaznia, kjo është, kush merr përsipër të veshë fanelën e kësaj skuadre duhet të marrë parasysh edhe presionin. Të gjithë aty kanë presion, të mbyllë veshët, të shikojë punën e vet, mundësia i është dhënë, mundësia po i  jepet, ai po e justifikon, golat i bën. Mos të merret me gjëra anësore, sepse do të dëmtojë vetem veten e tij. Nuk është e mirë edhe për tifozët, sepse ai tifoz që të kritikon, nuk është se të shan kush. Ne e kemi provuar vetë në kurrizin tonë, kur kemi shku keq, kemi ulë kryet, kemi duru këshillat, kena duhu ndoshta edhe ndonjë ofendim më tepër se duhet, pra kemi qënë koshient, sepse duhet me e përballu situatën.

Pra, në qoftëse pretendon se tek një ekip elitar, tek një ekip pretendent, duhet t’i pranosh edhe këto. Çoba është i ri, me vitet që kalojnë, ai po stabilizohet po merr formën e duhur sportive, por do të vijë dita që do t’i kujtojë fjalët e mija, dhe do të thojë se paska pasë të drejtë Belisha.

Sepse, edhe tifozët, kur shikojnë reagimin nga ana e sportistit, distancohen dhe nuk të kanë më në fokus, por duke u kundrapërgjigjë, duke bërë veprime, duke bërë gjeste, je pikë referuese. Që do të thotë, se edhe nëse ndeshjen e ardhshme do të bësh 10-të gjëra të mira dhe vetem gabim, me atë kanë për t’u marrë.

Kështu që, më mirë me i ul gjakrat, me i pa gjërat me pozitivitet, për të parë punën tënde dhe gjithçka do të shkojë mirë.”, thekson ndër të tjera ish kapiteni kuqeblu, Amarildo Belisha në Studio Sport-RTSH Shkodra, për rastin Çoba, me bindjen se mesazhi i tij do të merret i mirëqënë dhe do të kuptphet qartë nga ana e Çobës për t’ia rritur akoma më shumë vlerat e tij në fushën e lojës.

Duke vijuar të qëndrojë në të njëjtën temë, Belisha, merr si shembull pozitiv kapitenin Bekim Balaj: “Edhe Bekimi që prej vitit të kaluar ka pasur jo pak provokime dhe ngacmime nga tifoëria, dhe ai e ka menaxhuar në mënyrën më të mirë, dhe shiko tashti ku është, nga ajo situatë që ishte më herët, Balaj e ktheu në favorin e tij.”

Sipas Belishës, që nga drejtuesit e klubit, stafi teknik, trajnerët, publiku, të gjithë i duan lojtarët e rinj, sepse është tregu që ta imponon një gjë të tillë. Pra, në qoftëse një djal i ri i jep vedit dhe bën paraqitje të mira, presidenti i pari, stafi, tifozët, janë ato që të mbështesin për tu rritur së bashku me skuadrën. Çdo i ri, duhet ta kuptojë, se gjithë vemendja është tek ato, sepse, edhe pse kanë ardhë emra të mëdhenjë në skuadër, roli i të rinjëve është shumë i rëndësishëm për shumë faktor.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img