Wednesday, December 11, 2024

Vllaznia mund Kastriotin 0-1 në transfertë dhe rimerr kreun e klasifikimit. Fitore morali në momentin e duhur, kuqeblutë në luftë për të fituar dy trofetë e sezonit

Lexo

Kastrioti-Vllaznia 0-1

Shënues: Ardit Hoxhaj 92’

E diel 21 mars 2021, ora 13.00, stadiumi i Kamzës-Tiranë

Kastrioti: Hidi, Çela, Bojom, Shkala, Prodani, Rezi, Deliaj, Moraes, Devid(Daci 41’), Mehmeti, Bardhi. Trajner: R. Ndreu.

Vllaznia: Zogoviç, Gurishta, Adili, Isaevski, Kaleziç, Imeri(Kalaja 80’), D. Shehi, Marku, Kruja, Hoxhaj, Dilaver(Sise 82’). Trajner: T. Brdariç

Gjyqtarë: Laver Alla(Lushnje), Devis Korreshi(Lushnje), Edlir Malo(Lushnje), i katërt Ardian Beqiraj(Tiranë)

Vëzhgues: Pajtim Aliko(Vlorë)-Delegat: Bujar Pregja(Tiranë)

Një fitore kur realizohet në kohën shtesë të shijon më shumë. Kështu ndodhi me Vllazninë në transfertën e luajtur sot ndaj Kastriotit në Kamëz në kuadrin e javës së 25 të kategorisë Superiore të futbollit shqiptar. Koha e rregullt prej 90-të minutash përfundon 0-0, por në tre minutat shtesë të akorduara nga gjyqtari kryesor Laver Alla ndodhë mrekullia për shkodranët, kur në minutën e 92-të, përmes një harkimi nga këndorja e majtë me anë të Arsid Krujës, është Ardit  Hoxhaj që shënon me kokë në portën vendase. 0 me 1 për Vllazninë dhe në fushën është parë të vërshojë e gjithë pankina kuqeblu. Gëzimi për një gol të shënuar në minutën shtesë dhe aq më shumë kur është goli i fitores të krijon shumë emocion dhe entuziasëm. Por, krahas kësaj, kuqeblutë kanë të drejtë të gëzojnë dhe të festojnë në këtë mënyrë, sepse  ky gol dhe kjo fitore vjen në momentin e duhur, pikërisht atëherë kur Vllaznia po kalonte momente krize.

Fitore që vjen pas disa rezultateve negative të cilat ndikuan në lëshimin e kreut të tabelës së klasikimit, por edhe një problematike jo pak të tensionuar në gjirin e skuadrës, me largimin dhe rikthimni e trajnerit Toranas Brdariç, por edhe gjobat financiare në adresë të skuadrës, përfshirë edhe trajnerin në prag të sfides me krutanët.

Një fitore që pas humbjes së Laçit në shtëpi me Tiranën 1-2 dhe barazimit 0-0 të Partizanit me Teutën e kthen Vllazninë në majë të tabelës së klasifikimit, aty ku ishte për gjithë ato janë kampionat, aty ku në fat e ka vendin, për atë që ka dhënë gjatë sezonit. Kështu, nga një moment krize, ku përpos lëshimit të kreut aludohej edhe për të mbetur jashtë katërshes që të çon në Europë, Vllaznia e Shkodrës rikthehet më e fortë se kurrë. Brenda një jave, kuqeblutë, fillimisht sigurojnë “biletën” e gjysëmfinales së Kupës së Shqipërisë dhe tashmë  rimarrin edhe kreun e renditjes. Një pozitë ku nuk ka ku shkon më bukur se kaq. Një pozitë, ku fare mire, falë edhe momentit të favorshëm psikologjik që morën me dy fitoret brenda javës, Vllaznia i ka të gjitha mundësitë  të gëzojë pa masë tifozërinë e saj të zjarrtë me fitimin e dy trofeve të vitit, Kupës së Shqipërisë dhe titullin kampion për sezonin 2020-2021. Çka, nëse vertet do të realizohej, atëherë do të ishte diçka fantastike për mjedisiv sportiv shkodran dhe më gjërë për të përsëritur atë sukses që kuqeblutë e Vllaznisë kanë mundur ta realizojnë në 1972-shin, kur të drejtuar nga trajneri i madh Xhevdet Shaqiri i fitonin të dy trofetë, Kupë dhe Kampionat.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img