Friday, October 11, 2024

Vllaznia në Pressing, analistët diskutojnë për ecurinë dhe të ardhmen e kuqebluve

Lexo

Vllaznia, e cila kryeson prej javësh Kampionatin Kombëtar të Superiores së futbollit shqiptar vazhdon të marrë një vemendje të konsiderueshme mediatike. E tillë ishte edhe mbrëmja e së enjtes, kur në emisionin “Pressing” në ABC të drejtuar nga gazetari Gerti Çarçani, kuqeblutë ishin në focus të diskutimive mes pjesëmarrësve në panel, specialistë, trajnerë, analistë të futbollit dhe gazetarë sportiv.

Florian Riza(Specialistë futbolli-FSHF): “Faza e tretë e kampionatit është më e rëndësishmja për shkak të kushteve atmosferike dhe për shkak të objektivave. Kush fiton më shumë në këtë fazë, ai që fiton 9 ndeshje rresht, fiton titullin. Kur Tirana nisi fazën e dytë dje bëri 13 fitore në 15 javë. Nëse fiton ndeshjet me tre ekipet e fundit, nëse i merr 4 pikë Kastriotit dhe me pak pikë me ekipet e tjera të forta, Vllaznia shpallet kampion. Ekip pa oshilacione nuk ka pse të ketë. Vllaznia nuk e ka humbur shkëlqimin, por e rëndësishme për një ekip që do të shpallet kampion, është të dijë të ngrihet. Pas një humbje duhet të reagosh dhe nëse Vllaznia e kthen humbjen me Laçin në forcë, atëherë është në rrugën e duhur. Sot skuadrat duhet të sakrifikojnë shumë për topin dhe të rrezikojnë më shumë edhe në fazën mbrojtëse, për të marrë revanshin në sulm”.

Alpin Gallo(Specialist futbolli): “Vllaznia shfaqi problematika me Krujën. Vuajnë për të gjetur golin. Kur humbin topin, e kanë të avashtë fazën mbrojtëse, me Krujën por sidomos me Laçin, që ka një sulmues të shpejtë, duhet të kishte dublazh në mbrojtje. Laçi doli shpejt në sulm dhe e gjeti të papërgatitur mbrojtjen e Vllaznisë. Kur ka qenë fizikisht mirë, e ka bërë shumë herë mirë këtë gjë ekipi shkodran.Vllaznia ka bërë lojë të bukur, por kur ka qenë ndeshje e hapur. Kur skuadrat e kanë vlerësuar dhe kanë përfituar nga loja mbrojtëse, atëherë i kanë hapur probleme Vllaznisë. Ekipi ka reaguar pas humbjes, por ka pasur fat me kalendarin pas humbjeve. Ekipet e tjera pretendente i kanë kaluar krizat e tyre. Nuk ka fusha të përshtatshme për stërvitje, kjo ndikon në ritmin e ndeshjeve”.

Erion Xhafa(Ish futbollist): “Skuadrat e tjera kanë vëmendje të tjera ndaj Vllaznisë, që kryeson nga java e parë. E shoh problemin e Vllaznisë te stoli, forma fizike është në rënie. Asnjë nga lojtarët e ardhur nga merkato e janarit nuk po e ndihmon ekipin. Në merkato duhet të insistonin me dy lojtarë, që duhet t’i shërbenin menjëherë skuadrës”.

Gentian Mezani(Trajner futbolli): “Për Vllazninë kam menduar se është ekipi më i fortë fizikisht, deri përpara dy ndeshjeve. Në këto takime ka çaluar disi, megjithatë duhet të them se është vetëm një moment “JO” për këtë skuadër. Tani kanë fatin se do të luajnë me Apoloninë, skuadër e lehtë në letër. Janë të detyruar për ta fituar këtë ndeshje me patjetër, janë të detyruar për ta bërë. Në të kundërt do kenë shumë vështirësi më tej. Partizani është në ritmin e duhur, Teuta nuk duhet të anashkalohet. Laçi ka treguar shpirtin e garës dhe lufta për titull do të shkojë deri te Kukësi, por këto janë tre ekipet që do ta kërcënojnë Vllazninë. Laçi është padyshim në formën më të mirë, por duhet të fitojë ndeshjen e kësaj jave me Bylisin, pasi në të kundërt i ikën vlera fitores me Vllazninë”, tha Mezani.

Endi Tufa(Gazetar sportiv): “Në 4 ndeshjet e fundit, ka ndikuar edhe terreni te Vllaznia. Ndaj Partizanit ishte me fat, e vetmja humbje ishte ajo me Laçin, që i rëndon disi. Vllaznia i ka kaluar pritshmëritë, nuk është ndërtuar për titullin kampion. Janë bërë arnime në merkato. Përpos meritave, Vllaznia ka përfituar edhe nga problemet e ekipeve të tjera. Kjo gjë ka ndikuar në shkëputjen në renditje”. 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img