Thursday, April 25, 2024

Vllaznia në volejboll femra, gati për sezonin e ri. Trajneri Tafa, i kënaqur me skuadrën në miqësoren me Tiranën

Lexo

Vllaznia në volejboll për femra është gati për sezonin e ri sportive. Pas një faze përgatitore mjaft intensive, përfshirë edhe atë në bregdetin e Velipojës, volejbollistet shkodrane të drejtuara nga trajnerët Dorian Tafa dhe Ferdinand Bardeli, po testojnë skuadrën me ndeshje miqësore.

Njëra prej tyre ishte edhe ajo e zhvilluar në kryeqytet duke u ndeshur me ekipin e Tiranës, i cili i drejtuar nga trajnerja Amarilda Prenga është një nga pretendentet kryesore për titull.

Skuadra kuqeblu e nisi ndeshjen përballë skuadrës bardheblu duke aktivizuar në formacion volejbollistet, Sara Beci, Stela Kiri, Lorela Picaku, Esmeralda Tuci, Liridona Kodra, Mandisa Kuçi dhe Sara Hasku, ndërkohë që gjatë ndeshjen u aktivizuan edhe Klodeta Zhivani, Edna Erkoçi, Sidorela Baroti, Laura Ballçiti.

Dy setet e parë u komanduan nga skuadra vendase duke i fituar ato me rezultatet 25 me 14 dhe 25 me 15. Kur dukej se Tirana do ta fitonte thellësisht ndeshjen 3 me 0, Vllaznia i bën një përmirësim të ndjeshëm lojës së saj. Kështu seti i tretë, i cili u cilësua edhe si më i bukuri i krejt ndeshjes, pas disa barazimeve radhazi fitohet me pikët shtesë nga Vllaznia me rezultatin 26-28.

Seti i katërt për Vllazninë fillon aty ku u mbyll i treti, me një moral dhe entuziasëm në rritje duke bërë që ky set të jetë krejtësisht i Vllaznisë, me lojë dhe rezultat. 22 me 25 për Vllazninë është rezultati në mbyllje të këtij seti duke barazuar kështu shifrat 2 me 2.

Për të përcaktuar ekipin fitues duhet të luhet seti final, i cili deri tek pika e dhjetë paraqet rivalitet dhe shifra të barabarta. Por, duke qënë më e saktë në pikët vendimtare, Tirana e fiton këtë set final 15 me 10 dhe krejt ndeshjen 3 me 2. Pamvarësisht rezultatit, për Vllazninë, miqësorja në fjalë ishte një test serioz dhe real për gjendjen e mirë që po kalon skuadra duke dhënë premisa për një paraqitje të kënaqshme në ndeshjet zyrtare, të cilat fillojnë që këtë javë me ndeshjet e Kupës së Federatës. Një gjë të tillë e konfirmon për Veriu Sport vetë trajneri Dorian tafa, i cili shprehet shumë i kënaqur me atë që skuadra e tij paraqiti në miqësoren me Tiranën. “Paraqitja ekipit ishte shumë e mirë, pasi kemi ekip plotësisht të ri, por ka shumë për të përmirsuar. Ne do vazhdojmë të punojmë me shumë seriozitet në nditët në vazhdim dhe besim të plotë se me fillimin e sezonit do të jemi një nga skuadrat pretendente për trofe”, thotë trajneri Tafa.

Shorti e ka vënë Vllazninë të luajë këtë fundjavë përballë Partizanit për Kupën e Federatës, ndeshje në të cilën pritet të aktivizohet edhe  lojtarja e qëndres Iris Bardeli, e cila për arsye dëmtimi mungoi në miqësoren me Tiranën. Në objektivin e stafit teknik dhe të presidentit Florian Zekja, është kualifikimi në finale, dhe pse jo edhe fitorja e trofeut.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img