Vllaznia-Olimpija Ljubjanë, më 1 Korrik, ora 18:00
Vllaznia-Petrolul (Rumani), më datë 2 Korrik, ora 17:00
Kuqeblutë e Vllaznisë vijojnë përgatitjet në tokën sllovene në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencë Ligë. Krahas seancave me ngarkesë të plotë, në të shumtën e rasteve nga dy herë në ditë, në progranin e trajnerit Edi Martini janë edhe ndeshjet miqësore, ku deri në mbyllje të fazës, e cila po zhvillohet në kampingun Maribor, janë planifikuar edhe dy miqësore të tjera.
Burime pranë kampit kuqeblu bëjnë të ditur, se miqësorja e radhës, e treta në Slloveni është ajo që do të luhet me datë 1 korrik duke filluar nga ora 18:00. Përballë Vllaznisë në këtë miqësore do të jetë Olimpija Ljubjanë, ndeshje e cila është planifikuar të luhet në fushën e kundërshtarit.
Ndërkohë, një ditë pas, në program është edhe një miqësore tjetër, duke pasur përballë ekipin rumun, Petrolul, ndeshje kjo e planifikuar të luhet në Rogla duke nisur nga ora 17:00.
Pas këtyre dy miqësore të fundit, ndaj Olimpija Ljubjanë, më datë 1 korrik dhe Petrolul të Rumanisë me datë 2 korrik, skuadra kuqeblu do të lërë kampingun slloven të Mariborit, për t’u kthyer në Shqipëri, ku do të vijojë ditët përmbyllëse përgatitore në prag të përballjes së parë zyrtare me skuadrën letoneze BFC Daugavpils, e cila siç është bërë me dije më herët, është miratuar të luhet më datë 10 korrik në “Elbasan Arena”, duke filluar nga ora 20:00.
Me dy miqësoret që do të luhen më datë, 1 dhe 2 korrik, së bashku me ato të luajtur në “Loro Boriçi” ndaj Vllaznia Elite Milano dhe në Tuz të Malit të Zi, ndaj skuadrës vendase, Deçiç, shkon në gjashtë numri i ndeshjeve miqësore ndërkombëtare të zhvilluara gjatë fazës përgatitore verore.