Thursday, April 25, 2024

Vllaznia vuan, por kualifikohet me meritë në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, aty ku gjen Bylisin kundërshtar

Lexo

Vllaznia-Flamurtari 3-0(Juriç 41’, Aralica 92’, Kruja 93’)

1-2 për Flamurtarin në ndeshjen e parë të luajtur në Vlorë dy javë më parë, 3-0 për Vllazninë në ndeshjen e kthimit, luajtur sot në stadiumin “Loro Boriçi” për ndeshjen e kthimit dhe Vllaznia kualifikohet në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë.

Në pamje të parë, me shifrat në fjalë, të duket se Vllaznia e ka kaluar turin pa problem. Por, për hirë të së vertetes, referuar asaj që u pasqyrua në fushën e lojës, kualifikimi i kuqebluve në turin e dytë nuk ishte i lehtë. Madje, madje, kishte momente që u vu jo pak në dyshim, kur disa kërcënime serioze të sulmuesve vlonjatë, gjeten gadishmërinë e portjerit Qarri.

Në opinion ishte krijuar një ide se ndaj Flamurtarit do të kishin rastin të shikonin  një Vllazni shpërthyese, sepse të tillë e kërkonte situata, kur pas atyre ndeshjeve plot osholacione, ishte momenti më i duhur për të bërë autokritiken, me lojë dhe rezultat. Por, edhe kjo përballje e dytë me Flamurtarin për Kupë, duket se iu bashkangjitë të tjerave të mëparshme.

Presidenca kishte hapur dyert e stadiumit me hyrje falas, por me përjashtim të një grupi të vogël të “Vllaznit Ultras”, tre tribunat e “Loro Boriçit”, ajo përballë dhe dy anësoret ishin krejtësisht të boshatisura. Kësaj situate iu bashkangjit edhe loja apatike e Vllaznisë, duke ia shtuar edhe më tepër ftohtësinë këtij takimi.

Megjithatë, goli i shtatlartit të prapavijës Juriç me një rrofeshatë klasike në minutën e 41-të ndryshoi krejtësisht atmofesrën e atyre pak tifozëve të sistemuar në tribunën qëndrore në “Loro Boriçi”.

Por, vetëm kaq, sepse, edhe pse në dispozicion ishin edhe 45 minuta të kohës së rregullt, golat e tjerë për të zyrtarizuar kualifikimin e Vllaznisë, munguan. Kështu që, bazuar në rezultatin e ndeshjes së parë 2-1 në Vlorë, dhe avantazhit të Vllaznisë 1-0 në ndeshjen e kthimit, gjyqtari kryesor i ndeshjes, Adrian Beqiraj nga Tirana, ftoi dy ekipet për kohën shtesë, 2×15 minuta.

Shtesë kjo që ishte fatlume për Vllazninë. Ndërhyrjet e trajnerit Josa në formacion, dhanë efektin e duhur, sepse futbollistët e ardhur nga stoli siglojnë menjëherë dy golat e tjerë të kuqebluve, fillimisht me Ante Aralicen dhe më pas me Arsid Krujën, përkatësisht në minutat 92-të dhe 93-të, duke e çuar në 3-0 avantazhin kuqeblu.

Pas këtij rezultati, tekniku brazilian i Flamurtarit, Marcelo Troisi, ndryshon kursin e skuadrës së tij duke shtuar së tepërmi forcat sulmuese. Por, përsëri në skenë del portjeri Qarri duke ruajtur të paprekur rrjeten kuqeblu.

Vërshëllima tre herë e mbylljes së krejt takimit nga arbitri i kolegjumit të Tiranës, Adrian Beqiraj, fikson shifrat 3-0 për kuqeblutë, duke e kualifikuar Vllazninë në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, aty, ku sipas kalendarit gjen si kundërshtar, Bylisin.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img