Friday, May 3, 2024

Volejboll –Boshatiset Vllaznia e femrave. Mesazhi alarmues i trajneres Nora Deda: Nëse nuk ka mbështetje nga Bashkia dhe Presidenca, mund të largohem!

Lexo

Fillimi i vitit 2024-t e ka gjetur ekipin e volejbollit të Vllaznisë për femra në një situatë mjaft kritike. Në dispozicion të trajneres Nora Deda dhe kolegut të saj Ardian Dodani janë vetëm  7 volejbolliste.

Në një kohë që skuadra kuqeblu ishte në pritje të përforcimeve për pjesen e dytë të sezonit, në seancat e para stërvitore të janarit të këtij viti, kontigjenti i volejbollisteve është edhe më i kufizuar.

Një situatë e tillë ka krijuar një pesimizëm jo të pakët në radhët e skuadrës, përshfirë edhe stafin teknik.

“Situata në ekipin tonë është mjaft kritike. Me nje numër shumë të vogël lojtaresh, si zezultat i largimit të kapitenes Klodeta Zhivani  dhe Mandisa Kuçi, dhe mungesa e përforcimeve gjithashtu, krijon një problem më vete për vazhdimësinë e skuadrës. Në një kohë që ekipet e tjera, si Skënderbeu, Tirana, Partizani dhe Pogradeci janë përforcuar, si në fazen e parë ashtu dhe në prag të fillimit të fazës së dytë të kampionatit, ekipi i Vllaznisë e ka të pamundur të afroj dy lojtare përforcuese për mungese fondesh”, shprehet  për Veriu Sport, trajnierja  Nora Deda.

Në vijim, trajnerja Nora Deda, sqaron në biseden që ka patur me presidentin e Shoqatës së Volejbollit Vllaznia Femra, Florian Zekja, është informuar se mandati i kontratës së tij me Bashkinë Shkodër ka përfunduar me datë 31 dhjetor 2023, ndërkohë që nuk dihet akoma, nëse do të vijojë apo jo misionin e tij në krye të volejbollit shkodran të femrave.

E gjendur në këtë situatë konfuze të funksionimit të skuadrës së saj, trajnerja Deda, thotë se shqëtësimin e saj e ka përcjellë edhe në institucionin e Bashkisë Shkodër.

“Nga informacioni që mora sot pranë zyrës së sporteve në Bashkinë Shkodër, mësova se aplikimet për president të shoqatës së volejbollit Vllaznia për femra fillojnë së shpejti, por është një procedure 4-javore që zgjatë, gjë që ndikon negativisht në afrimin e ndonjë lojtareje, pasi merkatoja mbyllet në fund të janarit nga FSHV.”, thekson trajnerja Nora Deda.

Sipas trajneres Deda, buxheti i miratuar nga Bashkia për ekipet sportive të KS Vllaznia, nuk fillon deri nga muaji Mars, dhe në këtë mënyrë skuadra e ka të pamundur të paguajë transportin, arbitrat dhe pagat e vajzave, pasi kampionati mbyllet me 14 prill.

“Unë po vazhdoj stërvitjen në respekt të emrit të Vllaznisë, pasionit dhe vajzave, por nëse brenda muajit janar nuk ka asnjë zhvillim pozitiv në mbështetje të ekipit, ndiehem e detyruar të jap dorëheqjen.”, përfundon mesazhin e saj alarmues trajnierja Nora Deda, duke shpresuar se do të ketë ndonjë reagim pozitiv nga strukturat përkatëse.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img