Wednesday, December 11, 2024

Volejboll Femra-Vllaznia me 3 mungesa titullaresh e ka të vështirë të përballojë Tiranën. Humb në transfertë, 3-0. Kupa e Shqipërisë

Lexo

Tirana-Vllaznia  3-0(25-16, 25-18, 25-12)

Kampionati Kombëtar i volejbollit ia ka lënë vendin këtë fundjavë ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë, ku këtë edicion Federata Shqiptare e Volejbollit ka rezervuar një organizim ndryshe duke i zhvilluar ndeshjet në dy grupe me sistem vajtje-ardhje.

Vllaznia e drejtuar nga trajnerja Nora Deda është e vendosur në grupin B, së bashku me ekipet  rivale të Partizanit, Teutës dhe Tiranës do të ballafaqohen për të përcaktuar ekipet që kualifikohen në turin tjetër.

Pikërisht me këtë të fundit, skuadrën bardheblu, Vllaznia ka luajtur takimin e parë duke qënë udhëtuese në kryeqytet. Ndeshja e luajtur pasditen e së shtunës në pallatin e sportit “Fahrie Hoti” të KS Tirana nuk ka qënë ajo e duhura për Vllazninë, e cila duke luajtur me një ekip të përgjysmuar, nuk ka arritur t’i bëjë ballë Tiranës vendase.

Konkretisht duhet thënë se në formacionin e skuadës shkodrane kanë munguar dy volejbollistet bazë të formacionit, kapitenia Klodeta Zhivani dhe Edna Erkoçi, si dhe Mandisa Kuçi.

Nga sa bëhet e ditur, Zhivani që është edhe pika më e fortë e skuadrës nuk është aktivizuar për arsye shëndetësore, ndërkohë që Erkoçi është larguar përkohësisht nga Shqipëria. Ndërsa, sa i takon Mandisa Kuçit, e cila ka qënë një nga alternativat serioze të formacionit kuqeblu, mësohet se e ka mbyllur tërësisht me Vllazninë duke u larguar jashtë vendit.

Në të tilla kushte, trajnerja Nora Deda dhe kolegu i saj Ardian Dodani kanë qënë të detyruar të formatojnë një formacion me vajza të reja, si dhe me pozicione të modifikuara. Kështu, lojtarja libero Xhesika Kaçi është detyruar të luaj në rolin e shuteres në vend të Erkoçit, si dhe 15 vjeçarja Marjana Ndou është aktivizuar në vend të Zhivanit.

Referuar ecurisë së takimit, Tirana arriti të fitojë setin e parë me rezultatin 25 me 16, të dytin 25 me 18 dhe të tretin 25 me 12 . Një fitore kjo e arritur pa shumë vështirësi nga Tirana përballë një Vllaznie krejtësisht të re në formacion.

Por, megjithatë për trajnerët Deda dhe Dodani, si dhe presidentin Florian Zekja, i cili e ndoqi nga afër ndeshjen, duhet thënë se mbeten të kënaqur me përformancën e paraqitur nga vajzat e reja shkodrane, të cilat po rriten me sukses në gjirin e skuadrës kuqeblu.

Ndeshja e radhës për skuadrën kuqeblu në kompeticionin e Kupës së Shqipërisë, do të jetë përsëri në transfertë, këtë radhë ndaj Teutës së Durrësit, ndërkohë që në ndeshjen e tretë të grupit B, do të presë në Shkodër, Partizanin, për të vijuar më pas me tre ndeshjet e fazës së dytë, të cilat do të vendosin për ekipet që kalojnë në finale.

 

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img