Monday, November 25, 2024

(Intervista) Ada pa trajner, Presidenti Alfred Pjetri drejton skuadrën në pankinë. Njëshi i klubit velipojak garanton ndryshimin e situatës në ditët në vazhdim

Lexo

I gjendur i papërgatitur, kur vetëm dy ditë përpara se të startojë Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Dytë, trajneri Lumanaj dorëhiqet për arsye personale, Presidenti i KF Ada, Alfred Pjetri detyrohet të drejtojë skuadrën në pankinë për ndeshjen e parë të sezonit, atë Ada-Elbasani luajtur të dielen në fushën sportive “Adriatik” të Velipojës.

Megjithatë, edhe pse në rolin e presidentit, për Alfred Pjetrin, pozicioni i trajnerit nuk është ndonjë gjë e panjohur për të, kur kemi parasysh karrieren e tij të gjatë si futbollist dhe kapiten i Adës në vite, dhe në vazhdim edhe si trajner. Por, përpos kësaj, edhe gjatë periudhës që skuadra ka pasur trajnerin në drejtim, Pjetri nuk ka munguar të jetë aty pranë stafit teknik në pankinë, madje duke kontribuar dhe bashkëpunuar me mendimet dhe idetë e tij rreth ecurisë së lojës.

Por, këtë radhë, në sfidën e javës së parë të kampionatit duke luajtur në shtëpi me Elbasanin, situata ishte disi më ndryshe, pasi iu desh të merrte gjithçka përsipër, dhe në fund, edhe pse u mund 0-4, vlerësoi skuadrën e tij të re për atë që dha në fushën e lojës. Ajo që ka rëndësi më shumë, ka të bëjë me një të ardhme pozitive të Adës, të cilën presidenti Pjetri e shprehu në prononcimin e dhënë menjëherë pas ndeshjes.

Zoti President, diçka e veçantë për ju sot, pasi rrethanat e skuadrës dhe të stafit ju detyruan të ishit edhe në rolin e trajnerit. E patët të vështirë?

Normalisht, për të qënë të sinqertë përpara mediave, e kemi filluar shumë vonë, por shpresoj që me kalimin e ditëve do të shikoni një Adë ndryshe. Për ndeshjen e sotme, jam i kënaqur për lojën, sepse për rezultatin natyrisht që jo. Por, ky ekip jep premisa se ka për të qënë shumë më lart, dhe keni për ta parë shumë shpejt që do të jetë një Adë ndryshe.

Mendoni se skuadra ka nevojë për t’u përforcuar në merkato?

Përpos lojtarëve aktualë që janë të rinjë të talentuar, jemi në bisedime dhe shumë pranë marrëveshjes me 3-4 lojtarë të tjerë cilësorë dhe besojmë që shumë shpejt do të mbyllim gjithçka që ato të bëhen zyrtarisht pjesë e klubit tonë.

Java e dytë ju përballë në transfertë në Derbin shkodranë me ekipin e Murlanit.

Ndeshje e radhës, nuk ke çfar të thuash, do të luajmë futboll, të fitojë kush të jetë më i miri në fushë. Ne jemi miq dhe shokë me drejtuesit e Murlanit dhe nuk kemi derbi mes miqve dhe shokëve, do të jetë një ndeshje e bukur besoj që ta shijojnë edhe tifozëria e pranishme.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img