Lidhjet e Ilir Metës me Skocinë janë të njohura edhe më herët. Falë edhe miqësisë me ish kapitenin e kombëtares kuqezi, Rudi Vata, i cili ka kaluar një karrierë tejet të suksesshme në klubin e Sëlltikut të Gllazgout, ku jeton edhe sot me familjen e tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë u bë pjesë e “Celtic Supporters Club Albania”. Klub, në të cilin janë edhe disa nga legjendat e futbollit shqiptar, Perlat Musta, Ferit Rragami, Shyqyri Ballgjini dhe Ilir Lame, të cilët u përballën në vitin 1979, në kuadër të Kupës së Kampionëve të Europës me klubin e famshëm skocez.
Si tifoz i spikatur i klubit skocez Sëlltik, presidenti Meta, shfrytëzoi momentin e përballjes së kësaj skuadre me Ferencvarosh, skuadren ku luan shqiptari Myrto Uzuni, në kuadrin e takimeve të Ligës së Europës dhe fluturoi drejt Skocisë duke qënë i pranishëm në stadiumin “Celtik Park” në Glasgou.
Fotot dhe videot në fjalë tregojnë qartë tifozllëkun e flaktë që zoti Meta shfaqi në stadium në mbështetje të Sëlltikut, i cili doli fitues i kësaj ndeshjeje me rezultatin 2 me 0.
Pjesë e udhëtimit në Gllazgou ishte edhe vizita në shtëpinë e mikut të tij, ish kapitenit të kombëtares shqiptare, Rudi Vata, ku u prit ngrohtësisht nga familja Vata që jeton prej vitesh në këtë qytet, mes të cilëve edhe djali i Rudit, Rocco Vata, 17 vjeçari i talentuar që luan për Sëlltikun, por për momentin edhe me kombëtaren irlandeze.
Për t’u theksuar ishte edhe respekti që tifozët skocezë të Sëlltikut shfaqen ndaj presidentit Meta, ku gjatë shkuarjes për në stadium u ndal shumë herë nga qytetarët e Gllazgout duke kërkuar të pozonin me të.
Just magic!
You'll Never Walk Alone! #CelticFC💚 #CELFER #UEL #COYBIG 🍀 pic.twitter.com/KbGGwTS9NS— Ilir Meta (@ilirmetazyrtar) October 19, 2021