Dita e pestë e Kampionatit Botëror të boksit që po zhvillohet në Beograd është shoqëruar me një sukses tjetër të boksit shqiptar. Bëhet fjalë për boksierin e talentuar, Alban Beqiri, i cili ka realizuar fitoren e dytë për ngjyrat kuqezi të kombëtares shqiptare.
Alban Beqiri, konkurues në kategorinë e peshës 71 kg ka bërë një paraqitje të shkëlqyer duke sfiduar kundërshtarin e tij të kombëtares së Lituanisë. Sipas trajnerit të përfaqësueses sonë, Zef Gjoni, boksieri ynë Alban Beqiri ka treguar një superioritet të plotë ndaj kundërshtarit të tij duke mos e vënë për asnjë çast në diskutim fitimin e ndeshjes.
Kjo është fitorja e dytë radhazi për boksierin tonë, Beqiri, i cili sipas kalendarit të hartuar nga organizatorët, do të zhvillojë ndeshjen e tretë me datë 31 tetor, që në rast fitoreje, hapet rruga drejt zonës së medaljeve.
Ndërkohë, po ditën e sotme, në konkurim nga kombëtarja shqiptare ka boksuar edhe boksieri ynë Indrit Laçi për peshen 92 kg, i cili në përballjen me boksierin e përfaqësueses Angleze, është mundur mbrëmjen e sotme duke humbur të drejtën e vazhdimit të garës. Një gjë të tillë e ka humbur edhe boksieri tjetër i kombëtares tonë, shkodrani Nelson Hysa, i cili mund mbrëmjen e djeshme nga boksieri Nigel Paul i kombëtares Trinidad Tabago, për peshën +92 kg.