Edhe Shqipëria U-17 ka mësuar sot emrat e rivalëve që do të ketë përballë në fazën kualifikuese të Europianit 2022-2023 të kësaj moshe. Shorti i hedhur sot nga UEFA në Nyon të Zvicrës e ka vendosur Kombëtaren shqiptare, që drejtohet nga trajneri Ervin Bulku, në Grupin 7 së bashku me Suedinë, Kroacinë dhe Uellsin.
Pas konsultimeve mes federatave të katër vendeve pjesëmarrëse në Grupin 7 dhe UEFA-s është vendosur që ndeshjet e kualifikueseve të zhvillohen në Kroaci në datat 20, 23 dhe 26 tetor 2022.
Ashtu si edhe në Europianin e moshës U-19, në bazë të rregullores së UEFA-s dy skuadrat e renditura në vendin e parë të çdo grupi do të avancojnë në “Elite Round” së bashku me skuadrën e tretë më të mirë në të gjitha grupet në këto eliminatore.
Shorti përcaktoi 13 grupe me nga 4 skuadra, ndërsa faza finale e Europianit të moshës U-17 do të zhvillohet në Hungari në maj të vitit 2023.
Në lidhje me këtë short, trajneri i Kombëtares U-17, Ervin Bulku foli për objektivat kryesorë që ai ka në këtë fushatë kualifikuese, duke e vënë theksin tel evidentimi i lojtarëve të talentuar dhe përgatitja sa më e mirë në fushë për t’u përballur si të barabartë me çdo kundërshtar.
“U njoha me shortin e Europianit, patjetër që janë rivalë shumë të fortë, por të gjitha ekipet që marrin pjesë janë të një niveli shumë të lartë. Do të vijojmë punën e nisur prej kohësh për t’u përgatitur sa më mirë për këtë turne dhe për të konsoliduar grupin e lojtarëve. Detyra jonë fillimisht është të seleksionojmë lojtarët më të mirë shqiptarë të kësaj grup-moshe që luajnë kudo nëpër botë dhe të zbulojmë sa më shumë elementë të talentuar, duke i promovuar më pas në ekipet kombëtare të moshave”, – tha tekniku i ekipit U-17 në prononcimin e tij për Fshf.org pas shortit. Më tej, Bulku u shpreh se ky turne është një mundësi e mirë për lojtarët e kësaj grup-moshe që të marrin eksperiencë në këto nivele.
“Objektivi është që të përballemi si të barabartë me çdo kundërshtar dhe do të përpiqemi të marrim sa më shumë pikë. Është një mundësi e mirë për djemtë që të përballen me rivalë të tillë që në këtë moshë e të marrin eksperiencë dhe të përshtaten, pasi është shumë e vlefshme për të ardhmen. Sigurisht do të punojmë shumë gjatë kësaj periudhe dhe do të japim maksimumin në fushë”, – tha trajneri i Kombëtares U-17.