Mbrëmja e së martës, me përfundimin e çiftit të fundit, Laçi-Tirana, uli siparin e saj java e 13-të e kategorisë Abissnet Superiore. Ne një fitore të kurbinasve në frymën e fundit të minutës së 90-të përmes pikës së penalltisë, që realisht i bën nder kampionatit të Superiores.
Sidomos në luftën për titullin kampion, ku së bashku me Tiranën kryesuese, janë krejt afër edhe Kukësi dhe Vllaznia, me 3 dhe 4 pikë më pak në renditje, por edhe me Laçin që afrohet ndjeshëm në kuotën e 21 pikëve, pa përjashtuar edhe Partizanin dhe Teutën që aktualisht kanë nga 18 pikë.
Tashmë në sfond është java e 14-të, e cila starton të premten me sfidën Dinamo-Vllaznia, e vetmja ndeshje kjo në këtë ditë që do të luhet në “Elbasan Arena” duke filluar nga ora 19.45.
Një ndeshje është në kalendarin e kësaj jave edhe për ditën e shtunë. Dhe, ajo I përket çiftit, Skënderbeu-Kastrioti. Një superduel ky që luhet në orën 16.45 në kuadrin e luftës për mbijetese, pasi në stadiumin “Skënderbeu” do të ballafaqohen dy skuadrat e vendit të tetë dhe të nëntë, që tgë dyja me nga 11 pikë të grumbulluara.
Ndërkohë, tre ndeshjet e programuara për të dielen, mbyllin javën e 14-të të Superiores, me këtë kalendar: Egnatia-Laçi në “Egnatia Arena” ora 13:45, Kukësi-Partizani në “Loro Boriçi”, ora 16:45, dhe Tirana-Teuta në “AIR Albania”, ora 19:45.