Prej tre-katër ditësh tekniku i kuqebluve, Thomas Brdariç është i sistemuar së bashku me skuadrën në bregdetin durrsak duke u përgatitur për sfidën me Tiranë, takim që do të luhet të shtunën në “Air Albania” duke filluar nga ora 19.45.
Gjatë të gjithë këtyre ditëve ka qënë larg mediave, ndërkohë që vetem mesditën e sotme ka dhënë një prononcim të shkurtur për Rtsh Sport.
“Jemi në prag të një ndeshje të rëndësishme të futbollit shqiptar, siç është Tirana-Vllaznia. Ne jemi mëse gati për këtë ndeshje dhe do të japim më të mirën tonë për të marrë maksimumin.”, është shprehur fillimisht Brdariç.
Në vijim, ai i konsideron marrjen e tre pikëve të plotë si shumë të rëndësishme duke pasë parasysh distancën me kundërshtarin, por megjithatë, për të kampionati është i gjatë ku do të ketë ballafaqime të tjera po aq të rëndëisshme.
“Janë tre pikë shumë të rëndësishme, dhe do të japim maksimumin për këtë përballje që t’i marrim të plota ato. Megjithatë, kampionati është shumë i gjatë dhe në vijim ka edhe ndeshje të tjera të rëndëishme që i duhet kushtuar vemendja e duhur.”, tha ai
Besimin në arritjen e objektivit të fitores për këtë ndeshje, Brdariç e bazon tek kompaktësia dhe konkurenca që ka në ekip. “Jemi një ekip i fortë, ne kemi besim tek ekipi jonë, ka konkurence brenda nesh, dhe kjo është një avantazh, për ne është pozitive dhe do të na ndihmojë për objektivin tonë të fitores”, përfundoi Brdariç.