Kupa e Shqipërisë për edicionin e 71-të do të ngrejë siparin këtë të enjte të 15 shtatorit me turin paraeliminator, ku në lojë janë katër skuadra të Kategorisë së Dytë.
FSHF-ja ka parashikuar që finalja e këtij edicioni të zhvillohet më 28 maj 2023. Skema e Kupës mbetet e njëjtë si e sezonit të kaluar, ku çiftet janë të paracaktuara deri në turin çerekfinal, ndërsa më pas në gjysmëfinale futet në lojë shorti.
Institucioni i futbollit shqiptar nuk ka publikuar çiftet për turin e parë, sipas “Panorama Sport” skema e plotë.
Fillimisht, këtë të enjte, në orën 15:00, do të zhvillohen dy ndeshje me sistem eliminimi direkt: Veleçiku-Murlani dhe Devolli-Sopoti.
Fituesit e këtyre çifteve do të përballen në turin e parë me Tiranën dhe Laçin. Skema është paracaktuar nga FSHF-ja duke u bazuar te renditja e skuadrave në kampionatin e fundit.
Vllaznia, e cila është fituese në fuqi e Kupës së Shqipërisë, në turin e parë, që nis më 28 shtator, do të luajë me sistemin vajtje-ardhje ndaj Flamurtarit.
Nga ana tjetër, Partizani përballet me Orikun, ndërsa Kukësi ndaj Labërisë. Në bazë të kësaj skeme, nuk përjashtohet mundësia që në turin çerekfinal të kemi një derbi mes Tiranës dhe Dinamos, por kjo mbetet për t’u parë.