Monday, November 25, 2024

FSHF-“Uniforma Ime” lançohet në eventin madhështor në “Air Albania”, Duka: Projekt transformues për futbollin shqiptar

Lexo

Federata Shqiptare e Futbollit ka lançuar sot në Tiranë projektin “Uniforma Ime” në një event madhështor të zhvilluar në stadiumin “Air Albania” në Tiranë ku morën pjesë mbi 8 mijë të rinj e të reja të shoqëruar nga prindërit e tyre dhe nga dashamirës të shumë të futbollit. Në këtë aktivitet me pjesëmarrje masive ishin të pranishëm Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ambasadori i UEFA-s dhe një prej yjeve të futbollit kroat dhe të Milanit të madh, Zvonimir Boban, ish-futbollisti i Kombëtares, Mërgim Mavraj, figura të shuara të futbollit shqiptar si edhe personalitete të tjera nga fusha të ndryshme të jetës.

Gjatë aktivitetit janë shpërndarë edhe një pjesë e mirë e bazës materiale për disa nga klubet e akademitë shqiptare, ndërkohë që procesi i shpërndarjes së seteve vazhdon deri në startin e sezonit për moshat.

Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Duka tha se është e vështirë t’i fshehësh emocionet, teksa duke kthyer kokën pas riktheu në vëmendje rrugëtimin e gjatë e të bukur që FSHF ka bërë në drejtim të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të futbollit shqiptar.

“Jemi rritur, përmirësuar, zhvilluar duke pasur në qendër të projektit tonë fëmijët, ekipet kombëtare dhe infrastrukturën. E ardhmja e një Kombi janë fëmijët, padiskutim që edhe në futboll është e njëjta logjikë. Pa ta futbolli do të vdiste, ashtu si edhe Kombi. Prandaj fokusi jonë kryesor dhe buxhetet tona më të mëdha prej vitesh alokohen te futbolli i bazës, për t’i dhënë kushte më të mira dhe më shumë mundësi çdo të riu dhe të reje që dëshiron të luajë futboll. Qëllimet strategjike, që shpalosëm pak muaj më parë në strategjinë “Futbolli për Kombin”, ishin për ndokënd të paarritshme, elektorale, populiste. Por ja ku jemi sot, në finalizimin e një projekti transformues për futbollin e fëmijëve në vendin tonë. Uniforma Ime nga sot, është një realitet i prekshëm për 15 mijë fëmijë që luajnë futboll në vendin tonë, për familjet e tyre. Çdo prind që ka sot një fëmijë që luan futboll dhe ata që dëshirojnë ti rrisin fëmijët me kulturën e të bërit sport, nga ky sezon do të shpenzojë 0 lek për të siguruar TË GJITHË bazën materiale të nevojshme për zhvillimin e stërvitjeve dhe ndeshjeve gjatë një sezoni futbollistik. Secili prej jush do të ketë uniformën e stërvitjes, uniformën e lojës, tutat e përfaqësimit, çantën dhe fëshen e tij”, – tha Presidenti Duka, duke theksuar se nga sot Federata Shqiptare e Futbollit është një partner i madh i çdo familjeje shqiptare, që përballej me një kosto të madhe vjetore për të dërguar fëmijën e tij për të bërë futboll. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar shpjegoi se FSHF e konceptoi dhe ideoi këtë projekt si një detyrim që ndjen ndaj kujtdo që e kalon rininë e tij duke bërë sport dhe vit pas viti po ia çon kostot zero.

“Projekti Uniforma Ime, me një kosto vjetore 1.5 milionë euro, financuar 100% nga buxheti FSHF, i prezantuar në të gjithë Shqipërinë, sot bëhet i prekshëm, duke qenë se ju keni ose po merrni nëpër duar materialet sportive të kompanisë së mirënjohur “Macron”, me të cilat do të luani e stërviteni gjatë gjithë këtij sezoni futbollistik. Pa dyshim projekti do të përsëritet në të gjithë sezonet e ardhshme. Ky projekt është padiskutim një ndër më të bukurit e më të rëndësishmit që kemi realizuar në gjithë këto vite, kjo sepse i përket totalisht futbollit të bazës, atij që është edhe themeli i zhvillimit të futbollit në një vend. Nuk do të ndalemi në asnjë moment në objektivin tone për t’i krijuar ambientin perfekt çdo vajze dhe çdo djali për të luajtur futboll. Kjo është në themel të punës sonë të përditshme dhe ne jemi koshient se po ecim në rrugën e duhur”, – tha Duka, teksa vlerësoi edhe mbështetjen e Qeverisë shqiptare, UEFA-s e FIFA-n me të cilat janë realizuar projekte gjigande që kanë transformuar infrastrukturën e futbollit shqiptar.

Edhe Ministrja e Arsimit e Sportit, Evis Kushi, tha se kjo nismë e FSHF-së ka disa funksione, pasi ndihmon prindërit duke u ulur shpenzimet familjare dhe i ndërgjegjëson të gjithë për vlerat që ka sporti.

“Kjo nismë është shumë e bukur që ka disa funksione. Së pari i motivon më shumë fëmijët dhe të rinjtë që të merren seriozisht me sport. Ky projekt ndihmon prindërit apo familjet e tyre, duke i çliruar nga barra financiare për të blerë uniformat dhe mjetet e duhura për të bërë stërvitje, për ndeshje. Po ashtu është një nismë që na ndërgjegjëson të gjithëve për vlerat që ka sporti. Sporti ka një fuqi të jashtëzakonshme, për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve, shëndetin fizik, mendor, dhe integrimin më të mirë në shoqëri. Sporti ndihmon që të rinjtë të largohen edhe nga fenomene negative si dhuna, bullizmi, droga, alkooli. Për këtë arsye edhe në shkolla ne punojmë çdo ditë që nxënësit tanë të angazhohen sa më shumë me sport. Përveç investimeve në infrastrukturën sportive, ne kemi punuar për të rritur numrin e orëve të edukimit fizik. Kemi bërë 3 orë në javë. Tashmë mësuesit e Edukimit Fizik janë mësues të profilit, janë profesionistë. Ne kemi rritur numrin e klasave sportive”, – theksoi Ministrja Kushi, teksa falënderoi Presidentin e FSHF-së, Armand Duka për këtë kontribut të jashtëzakonshëm për fëmijët e Shqipërisë.

“Dua të falënderoj përzemërsisht presidentin Armando Duka dhe Federatën Shqiptare të Futbollit për këtë kontribut të jashtëzakonshëm. Dhe jo vetëm me këtë projekt, por për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe me qeverinë shqiptare. Shumë faleminderit për projektin “Uniforma Ime” ku 15 mijë fëmijë dhe të rinj tashmë do të kenë uniformën sportive por edhe materialet që i duhen për stërvitje dhe ndeshje. Shumë faleminderit për gjithçka që bëni për të mirën e fëmijëve, për të mirën e të gjithë shoqërisë”, – tha Ministrja Kushi.

Ndërsa, legjenda e futbollit botëror, Zvonimir Boban, i cili përfaqësonte UEFA-n në këtë event, u shpreh se mesazhi që jep FSHF-ja me këtë projekt është madhështor dhe se përmes futbollit mund të bëhen gjëra të mëdha.

“Kur nisi aktiviteti për protokoll pyeta Presidentin Duka se cilët duhet të përshëndes të parët. Ai më tha të përshëndes fëmijët e pastaj të tjerët. Një përshëndetje të përzemërt të gjithë fëmijëve të Shqipërisë edhe nga presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, i cili kishte shumë dëshirë që unë të vijë në këtë aktivitet dhe unë kam ardhur me shumë dëshirë. Thënë kjo, i dashur president Duka, e dashur Ministre e Arsimit dhe Sportit, znj. Kushi, i dashur ish-kolegu im i futbollit Mavraj, me të cilin jemi vëllezër për shkak të fushës së lojës. Kjo që po ndodh sot është një mesazh i madh për të gjithë popullin shqiptar, nuk është çështje dhuratash për fëmijët, nuk është çështje e një veshjeje futbolli, mesazhi që përcjell Federata Shqiptare e Futbollit është shumë më i madh. Mesazhi është të mendosh për të tjerët, mesazhi është të mos izolohemi në futboll, mesazhi është që futbolli është sporti i popullit, të fëmijëve dhe ky mesazh nuk ka çmim sepse jetojmë të gjithë në një shoqëri gjithnjë e më e izoluar, gjithnjë e më egoiste, gjithnjë e më e orientuar nga vetja. Ky është një mesazh altruizmi dhe përkatësie ndaj Shqipërinë si vend, përkatësie ndaj njerëzve të zakonshëm, që respektojnë dhe duan të tjerët dhe përmes futbollit mund të bëhen gjëra të mëdha. Ju faleminderit shumë dhe jam shumë i lumtur që mora, pjesë në këtë eveniment”, – tha Zvonimir Boban.

Në këtë event mbajti një fjalë përshëndetëse edhe ish-futbollisti i njohur i Kombëtares, Mërgim Mavraj, i cili shprehu bindjen se projekti “Uniforma Ime” do ta ndihmojë shumë futbollin shqiptar të rritet dhe do t’i heqë një barrë financiare familjeve shqiptare.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem sot këtu në këtë aktivitet të jashtëzakonshëm futbollistik. Në karrierën time me Kombëtaren kuqezi nuk pata mundësi të luajë në këtë stadium fantastik, por ja ku jam sot në këtë ‘ndeshje shumë speciale’. Kur mësova mbi projektin “Uniforma Ime” u ndjeva me të vërtetë i surprizuar, nuk e fsheh edhe i çuditur. Ky është një projekt i madh i cili do ta rrisë shumë futbollin në Shqipëri. Do i vij në ndihmë të gjithë familjeve që çojnë fëmijët e tyre në futboll. Të kesh të garantuar uniformën, topin e lojës, është një lehtësim për çdo fëmijë që është në botën e futbollit. I ke dhënë një dorë të madhe ndihmese të rinjve dhe besoj se edhe këta futbollistë që janë sot në stadium do ja u shpërblejnë duke rritur nivelin e tyre dhe duke përfaqësuar gjithmonë e më mirë futbollin shqiptar dhe ekipin Kombëtar. Shumë suksese të gjithëve dhe sa më shumë mbarësi për ju dhe familjet tuaja!”, – theksoi Mavraj.

Kësisoj, projekti më i madh i Federatës Shqiptare e Futbollit nisi nga ky sezon dhe do të mbulojë kostot çdo sezon për bazën materiale të të gjtha ekipeve të futbollit në të gjithë vendin për ekipet e moshave.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img