Me ndeshjen e luajtur sot pasdite në fushën sportive “Reshit Rusi” të qytetit të Shkodrës mes Vllaznisë vendase dhe Dinamos mysafire është mbyllur java e shtatë e Kampionatit Kombëtar të futbollit pë 21 vjeçarët, e cila ishte edhe e fundit për vitin kalendarik 2020. 4 me 2 në favor të kuqebluve të drejtuar nga trajnerët Fatjon Hasani dhe Nefail Zhejani ka përfunduar kjo ndeshje, tre pikësh ky që e ngre skuadrën shkodrane në kuotën e 16 pikëve duke e kurorëzuar kështu me titullin simbolik “kampione e dimrit”. Në ndjekje të Vllaznisë janë dy skuadrat rivale, Laçi dhe Dinamo me pikë të barabarta nga 13. Golat për Vllazninë në këtë ndeshje u shënuan nga Rraca 10′, Leka 27′, Mali 70′, Deda 76′, ndërsa për miqtë autorë të golave ishin Jaupaj 3′ dhe Mhillaj 57.