Wednesday, November 27, 2024

(Video) Kristian Vulaj, kthehet në çështje tek Vllaznia. Mos aktivizimi i futbollistit më të paguar, kërkon një sqarim të detajuar për publikun nga tekniku Josa dhe drejtuesit e klubit kuqeblu

Lexo

E konsideruar një konference e zakonshme shtypi, kjo e sotmja e pragndeshjes Kukësi-Vllaznia, në mënyre spontane ka marrë një drejtim tjetër më të specifikuar. Teksa fliste për rëndësinë e ndeshjes, gjendjen e lojtarëve të dëmtuar, përmirësimin e Latifit, e të tjera elemente të skuadrës, një nga koleget gazetare kërkon të dijë nga trajneri Josa rreth mungesës së aktivizimit të Kristian Vulajt, shqiptarit me banim në Mal të Zi më të paguar tek Vllaznia, i cili ka pak ose aspak minuta në fushën e lojës me uniformën kuqeblu.

Një pyetje, që në fakt nuk është se i ka pëlqyer fort teknikut kuqeblu, gjë që reflektohet edhe në përgjigjen e tij, e cila shoqërohet edhe me një farë toni disi reagues, jashtë natyrës së tij të qetë që e ka karakterizuar përherë në komunikimin me median.

“Vulaj ka luajtur në ndeshjen e fundit me Flamurtarin dhe ka qenë në formacion, mua nuk më intereson nëse është Kupë apo nëse është kampionat. Skuadrën e kemi parë që ka qenë e plotë edhe në ndeshjen me Flamurtarin, këto janë mendimet e mia sa i përket Vulajt dhe skuadrës se unë nuk mendoj për individin por për skuadrën. Nuk ndërroj sistem loje dhe ta dini edhe këtë, po ua them edhe këtë që të mos e prekim më këtë temë. Nuk ndërroj një sistem loje sepse një lojtar luan në atë mënyrë.

Nëse lojtari i përshtatet sistemit të lojës që ne kemi bërë zgjedhjen e lojtarëve në fillim, atëherë bujrum jo Vulaj, por kushdo qoftë do të jetë në lojë. Kjo është një temë që mua më shqetëson se është një lojtar që paguhet dhe është paguar që në fillim mirë nga presidenti. Por të gjithë lojtarët fillimisht janë për të marrë rrogat e tyre dhe ato çfarë ka për pluse sa i përket anës ekonomike, por përtej anës ekonomike është edhe çfarë japin për skuadrën. Dhe mua më intereson skuadra ndaj këtë mos ma përsëritni më.

Nuk kam bërë planet e janarit. Vulaj është një futbollist që ka kontratë. Për këtë mund të pyesni presidentin. Nuk diskutojmë për këtë probleme, e thashë që mos ma përsëritni më. Po flasim për skuadrën dhe jo për individ dhe mua më intereson skuadra.”, është shprehur tekniku Josa në konferencën për shtyp dhënë me gazetarët shkodranë.

Përtej asaj që u tha në konferencë, për hirë të së vertetes, gazetarët sportiv shkodran, dhe në përgjithësi media e qytetit verior, ka pasur dhe ka mbajtur një qëndrim korrekt dhe professional me trajnerin Josa, skuadrën në përgjithësi, përfshirë edhe drejtuesit e klubit.

Për rastin në fjalë, mund të ketë njëmijë e një arsye që e shtyjnë teknikun kuqeblu të mos e aktivizojë Vulajn në fushën e lojës, por Josa, apo ndokush tjetër brenda klubit, nuk mund ta pengojë median ta trajtojë si një shqetësim jo të vogël, që një lojtar i mirëpaguar, ndër më të mirët e kampionatit malazez dhe pjesë e kombëtares së shtetit fqinjë, qëndron në stol.

Dhe, stoli për Kristian Vulajn në fakt, nuk është se ka ardhur sot, dje, apo pardje. Sinjalet e një inferioriteti ndaj këtij futbollisti nga stafi teknik janë dhënë që në fazën përgatitore zhvilluar në Austri, kur në ndeshjet miqësore të atjeshme, vetëm në një ndeshje ka marrë pak minuta loje, situatë kjo që e ka shoqëruar deri në ditët e sotme.

Për rastin konkret, Josa është në të drejtën e tij të vendosë, ta trajtojë dhe ta argumentojë profesionalisht, ashtu si ai e gjykon situatën në fjalë. Por, krahas të tjerave, ajo që kërkohet të dihet në opinionin sportiv, përfshirë edhe specialistët e futbollit shkodran, është fakti se kush e mban përgjegjësinë e mbajtjes në stol të një lojtari të tillë të mirëpaguar, stafi teknik për mos adaptimin e sistemit të lojës që i pështatet lojës së Vulajt, ato që e kanë përzgjedhur për të firmosur kontratën me Vllazninë, apo dikush tjetër brenda klubit?

Dhe kjo, minimalisht, duhet t’i spjegohet me qetësi, gazetarëve, tifozërisë që aq shumë këmbëngulë ta shikojë në fushë Vulajn, opinionit sportiv shkodran dhe më gjërë, nga vetë stafi teknik dhe drejtuesit e klubit kuqeblu.

(Video) Konferenca e shtypit e trajnerit kuqeblu, Mirel Josa, në pragndeshjen Kukësi-Vllaznia dhe çështja“Vulaj”, mungesa e aktivizimit të shqiptarit me banim në Mal të Zi

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img