Kukësi-Vllaznia 0-1(Shënues: Hakaj 42’)
E enjte, 03 nëntor, ora 13:00, stadium “Kukës Arena”, Kukës
Kukësi Tafas; Ferreira, Ilieski, Ebert; Meksi, Gj. Taipi, Sh. Taipi, Mbarak El Id; Giasi, Daci, Edi Basha. Trajner: Enkeleid Dobi.
Vllaznia: Zogoviç; Gurishta, Bulatoviç, Juriç, Hakaj; Boshnjaku, Alivoda, Jonuzi; Mala; Marku, Aralica. Trajner: Mirel Josa. Gjyqtarë:
Laver Alla (Lushnje), Nertil Bregasi (Tiranë), Feliks Kolleshi (Tiranë). I katërt Erjon Bastari (Tiranë)
VAR- Juxhin Xhaja (Tiranë)-AVAR Egin Doda (Tiranë)
Vllaznia e Shkodrës ka aritur të marrë një fitore shumë të rëndësishme për javën e 11-të të Kampionatit Kombëtar të kategorisë Abissnet Superiore duke mundur në transfertë ekipin e Kukësit me rezultatin 0-1.
Një fitore kjo plotësisht e merituar për skuadrën kuqeblu, e cila duhet thënë se në këtë përballje ka treguar një nivel shumë të mirë. Ritëm, grintë, dëshirë për fitore, më shumë se asnjëherë tjetër, ku përpos golit të avantazhit të shënuar në fundin e pjesës së parë me autor Ersin Hakaj, mundësitë për të shënuar kanë qënë edhe me raste të tjera, sidomos me një shtyllë pingule të goditur nga Boshnjaku në pjesën e dytë.
Por, nëse nuk ka pasur gol tjetër në portën kuksiane, kjo ka ardhur edhe për meritë të portjerit vendas, i cili, sidomos në pjesën e parë ka arritur të evitojë gola të sigurtë në portën e tij. Nga ana tjetër, skuadra kuksiane është shfaqur e rrezikshme në 15-të minutat e fundit, duke kërkuar me insistim golin e barazimit.
Dhe, për hirë të realitetit, rastet për një gjë të tillë u paraqitën, por herë për meritë të portjerit Zogoviç, por sidomos për pasaktësi të sulmuesve të vendas, një gjë e tillë nuk u bë e mundur. Përfundimisht, edhe pas pesë minutave shtesë, vërshëllima e gjyqtarit lushnjar Laver Alla, lë në fuqi avantazhin e Vllaznisë me rezultatin 0-1 duke konfirmuar kështu një fitore të merituar të skuadrës kuqeblu. Fitore kjo që e çon Vllazninë në kuotën e 18 pikëve duke e bërë shumë interesante përballjen e javës së ardhshme, kur në Shkodër do të jetë mysafire, Tirana kampione.
Gaspër MARKU