Trajneri i Italisë, Roberto Mançini ka dalë në një konferencë për shtyp për të komentuar në funksion të ndeshjes miqësore me Shqipërinë, që do të luhet të mërkurën në mbrëmje në “Air Albania, ora 20:45. “Nuk vijmë me pushime, por për të bërë një ndeshje të mirë duke ditur se ka vështirësi. Shqipëria luan në shtëpi dhe nuk është aq e dobët. Shqiptarët që luajnë në Itali janë të gjithë të aftë se ndryshe nuk do të luanin. Është e vështirë që një lojtar që luan në Itali të jetë mesatar, janë të gjithë të aftë, ndaj luajnë në kombëtare”.
Asnjë përgatitje për Botërorin e paprecedentë në Katar, por e para nga dy miqësoret që do ta ndihmojnë trajnerin të testojë lojtarë të rinj për kursin e ri të Italisë. “Ky është fati, ajo kundër Maqedonisë së Veriut ishte një ndeshje absurde që ndodh një herë në 100 vjet – komentoi trajneri Roberto Mancini në prag të ndeshjes në Tiranë – në çdo rast do të jenë dy miqësore të rëndësishme për ne”.
Prej disa muajsh, refreni i përsëritur nga Mancini ka qenë gjithmonë i njëjtë dhe paraqitja e mirë në Ligën e Kombeve nuk e ka zbutur zhgënjimin: “Ky do të jetë muaji më i vështirë dhe sapo ka filluar. Por ne kemi ndeshje për të luajtur për të parë dhe vlerësuar, sepse ka aspekte që do të na shërbejnë nga marsi e në vazhdim”.
Grupi i thirrur nga Mancini ka disa karakteristika të reja, rikthime dhe debutime: “Chiesa është kthyer dhe ne jemi të kënaqur, ai duhet të kthehet në formë, është mirë edhe nëse nuk do të startojë nga 1′. Zaniolo është i rëndësishëm për ne dhe do të përmirësohemi në shumë këndvështrime”. Mungon, megjithatë, Kean: “Nëse ai vazhdon të shënojë, ne do ta thërrasim përsëri”.
Për Italinë, ndeshjet me Shqipërinë dhe Austrinë do të jenë një mundësi për të provuar diçka të re: “Sinqerisht, e kam përjetuar shumë keq që nga marsi, por fatkeqësisht i humbëm shanset tona. Ky është futbolli dhe pas një sadisfaksioni të madh erdhi një shembje. Tani duhet të punojmë në mënyrën e duhur për t’u siguruar që kjo gjë të mos përsëritet në të ardhmen”.
Po vlerësohet sistemi i lojës: “Zaniolo mund të luajë si mesfushor por edhe si anësor. Në ndeshjet e fundit kemi ndryshuar pak për të parë se cila mund të na japë avantazhe, por lojtarët tanë mund të luajnë në pozicione të ndryshme”.
Për Italinë është koha e rindërtimit: “Gjatë kampionatit është normale të kesh lojtarë të lodhur, por mendoj se djemtë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kombëtares. Janë 4-5 lojtarë të rinj që luajnë vazhdimisht në Serie A dhe kjo është një gjë pozitive”.