Sunday, December 22, 2024

Vllaznia, mbyll ditët përgatitore ulqinake. Kuqeblutë, të premten, ora 14:00, miqësore me Veleçikun në “Reshit Rusi”

Lexo

Dita e enjte ka qënë e fundit për Vllazninë në ciklin përgatitor të zhvilluar prej dhjetë ditësh në Ulqin. Siç është bërë me dije edhe më herët, ndërprerja e kampionatit për shkak të finaleve të Botërorit “Katar 2022” presidenca kuqeblu vendosi ta mbajë skuadrën e grumbulluar, në mënyrë që rifillimi i kampionatit ta gjejë Vllazninë në formën më të mirë sportive.

Por, përpara rifillimit të kampionatit, Federata Shqiptare e Futbollit ka planifikuar sfidën e Superkupës së Shqipërisë, e cila do të luhet me datë 7  dhjetor në stadiumin “Aier Albania” të kryeqytetit.

Në pritje të këtyre dy ngjarjeve sportive, kuqeblutë e drejtuar nga tekniku Mirel Josa, konsumuan një ndeshje miqësore në tokën malazeze, ndërkohë që miqësorja e radhës do të luhet të premten në Shkodër, pranë stadiumit “Reshit Rusi”.

Sa i përket ditëve përgatitore ulqinake, drejtuesit janë të kënaqur me formën që po merr skuadra, gjë është pasqyruar edhe në fitoren e miqësores së parë, të cilën Vllaznia e fitoi me rezultatin 3-0 ndaj ekipit malazez, FK Zora Shpuz. Autorë të golave kuqeblu në këtë ndeshje kanë qënë, Herald Marku me penallti, për të vijuar me shqiptaro- malazezin Kristian Vulaj dhe kroatin Ante Aralica.

Ajo që e shqetëson stafin teknik për momentin është dëmtimi i dy qëndërmbrojtësve, Bulatoviç dhe Jujiç, të cilët, megjithë përkujdesjen e stafit mjekësor, akoma nuk kanë mundur të rikthehen në normalitetin e duhur për të qënë gati në shërbim skuadrës.

Megjithatë, nga ana tjetër, lajme të mira vijnë për mesfushorin-sulmues, Liridon Latifi, i cili pas një shkëputje shumë të gjatë për arsye dëmtimi, gjatë ditëve të fazës përgatitore në Ulqin ka marrë ngarkesë të plotë me skuadrën.

Madje, sipas stafit teknik, Latifi pritet të jetë në fushën e lojës që në ndeshjen e parë zyrtare, atë të 7 dhjetorit, për Superkupën e Shqipërisë. Një tjetër test përpara Superkupës së Shqipërisë do të jetë ai i ditës së premte, në miqësoren Vllaznia-Veleçiku, takim që do të luhet në “Reshit Rusi” duke filluar nga ora 14:00.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img