Klasikja e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia, takim ky i luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Selman Stermasi” të kryeqytetit, është mbyllur me shifrat e barabarta 1 me 1. E konsideruar si më e rëndësishmja për javën e 12-të të kategorisë Superiore të futbollit shqiptar, sfida në fjalë është shoqëruar me faza interesante, ku fillimisht ishin kuqeblutë që iu ofruan shumë pranë golit të avantazhit me atë gjuajtje të vlonjatit Ardit Hoxhaj, topi i të cilit goditi shtyllën e majtë pingule të portjerit vendas Bekaj dhe më pas u rikthye në fushën e lojës. Në vijim, skuadra bardheblu erdhi duke e rritur nivelin e lojës së saj, dhe në 13-tën minutë gjen golin e avantazhit me autor Ernes Muçin, një nga më të mirët e skuadrës kryeqytetase. Presioni i Vllaznisë për të gjetur golin e barazimit e detyron Tiranën të tërhiqet prapa, por ndërkohë në vazhdimësi, vendasit patën përsëri shansin të shënonin me të njëjtin protagonist, Muçin, por këtë radhë është portjeri Zogoviç që nuk lejon prekjen për herë të dytë të rrjetës së tij duke mbajtur në fuqi rezultatin, Tirana 1 dhe Vllaznia 0. Presioni i Vllaznisë për golin e barazimit vazhdon të jetë prezent edhe në pjesën e dytë. Madje, me përjashtim të një rasti të minutës së 68-të kur Tirana ishte pranë golit me Ismailgecin, 45 minutëshi i dytë thuajse ishte i tëri i Vllaznisë. Rastet e saj për gol janë të njëpasnjëshme, por ai që bëhet pengesë është portjeri Bekaj në një ditë shumë të mirë. Situatën tek Tirana e rëndon jo pak dhe largimi nga fusha e lojës e Torasës, i cili në minutën e 74-tërt ndëshkohet me karton të kuq duke lënë skuadrën me një futbollist më pak për minutat në vazhdim të këtij takimi. Nuk shkojnë shumë, kur vetem pas 5 minutash, Vllaznia shënon golin e barazimit me anë të shqiptaro-maqedonasit Demir Imeri. Skuadra e drejtuar nga Thomas Brdariç nuk kënaqet me barazimin dhe lëshohet e tëra në sulm për një gol tjetër të fitores tre pikëshe. Është një dhjetë minutësh tejet pozitiv i kuqebluve, i cili edhe pse rastet ishin të shumta, goli i fitores nuk del në dritë. Pasi kanë kaluar edhe katër minutat shtesë të akorduara nga gjyqtari i katërt, kryesori Enea Jorgji vërshëllen për mbylljen e të gjithë takimit. 1 me 1 është rezultati përfundimtar në këtë ndeshje të fundit për vitin 2020, në një ndeshje ku fare mirë mund të themi se me rastet e shumta që pati në dispozion, sidomos në pjesën e dytë, Vllaznia humbi dy pikë në këtë sfidë. Gjithësesi, mjafton edhe një pikë e vetme që skuadra kuqeblu të shpallet me meritë të plotë “kampione të dimrit”, ku duke përfituar edhe nga humbja e Partizanit në Laç e thellon diferencenm me vendin e dytë në 7 pikë. Megjithatë, për një pamje të plotë të klasifikimit të kategorisë Superiore duhet pritur përfundimi edhe I ndeshjes së fundit të javës së 12-të, asaj mes Kukësit dhe Tiranës, takim që luhet në “Elbasan Arena” duke filluar nga ora 16.45. Nëse nuk do të ketë barazim në mes këtyre dy skuadrave, ajo që do të arrijë të fitojë tre pikë merr vendin e dytë me 6 pikë më pak se sa Vllaznia kryesuese.
Gaspër MARKU