Kampionet e Shqipërisë në futboll për femra, Vllaznia e Shkodrës do të luajë mbrëmjen e së premtes ndeshjen e pestë sipas radhë në “UEFA Women’s Champions League”, e vlefshme për fazën e grupeve. Ashtu si edhe në ndeshjen e kaluar nga kampiones së Francës, PSG, presidenti i KFF Vllaznia, Lazër Matija ka vendosur që dyert e stadiumit “Loro Boriçi” të jenë të hapura për hyrje falas, pa biletë. Një mundësi e mirë kjo që në shkallët e stadiumit të ketë sa më shumë tifozë kuqeblu për të mbështetur Vllazninë e femrave drejt arritjes së një rezultati pozitiv.
“NJOFTIM
Klubi i Futbollit të Femrave Vllaznia bën të ditur se për ndeshjen e rradhës të vlefshme për grupin A të “UEFA Ëomen’s Champions League” kundër Chelsea që do luhet ditën e premte në orën 18.45, hyrja e tifozëve në stadiumin “Loro Boriçi” do të jetë falas. Fillimisht, do të hapet vetëm tribuna qendrore e stadiumit dhe nëse është e nevojshme pastaj do të hapen edhe tribunat e tjera. Ftojmë të gjithë tifozët shkodranë për të na mbështetur në këtë ndeshje shumë të rëndësishme të këtij kompeticioni europian. Forca Vllaznia! Eja edhe TI!”, thuhet në njoftimin për shtyp që KFF Vllanzia ka shperndarë për mediat.
Kujtojmë që në garën e Kampionatit Kombëtar të futbollit për femra, ndeshja e luajtur të dielen e kaluar në kryeqytet mes Tiranës dhe Vllaznisë që ishin me pikë të barabarta pas javës së tetë, u mbyll me rezultatin 0-3 në favor të skuadrës kuqeblu, e cila e mbylli fazën e parë në kuotën e 27 pikëve, 3 më shumë sesa Tirana, duke u shpallur kampione e dimrit.