Sunday, November 24, 2024

Futboll Femra-Super Vllaznia. 4 javë nga fundi i Kampionatit, skuadra kuqeblu kryeson e vetme me bilancin fantastik, 14 fitore, 100 gola të shënuar dhe 0 të pësuar!

Lexo

Kampionati Kombëtar i futbollit të femrave luan këtë fundjavë ndeshjet e xhiros së 15-të duke pasur në kalendar ballafaqimee interesante. Gara sa vjen e bëhet më interesante dhe ethet për dy ekipet pretendente për t’u shpallur kampione këtë edicion, Vllaznia, Tirana sa vijnë e bëhen edhe më të mëdha. Megjithatë, duhet thënë se katër javë nga fundi i kampionatit, Vllaznia e Shkodrës paraqitet me një bilanc fantastik. Skuadra e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka dhe kolegu i tij Fabriol Rexhepi, si dhe e mbështetur fuqishëm nga Presidenti Lazër Matija, falë 14 fitoreve të realizuara në 14 javë kampionat, kryeson e vetme tabelën e klasifikimit me 42 pikë. Ndërkohë, ajo që spikat më shumë ka të bëjë me golaverazhin, ku Vllaznia ka arritur të shënojë plot 100 gola duke mos pësuar asnjë në portën e saj.

Sa i përket javës së 15-të, skuadra kuqeblu është mysafire  në Kukës për të luajtur me skuadrën vendase, ndeshje që do të ngrejë siparin e kësaj jave, e planifikuar të luhet të premten (28 prill) në ora 17:30. Një ndeshje e lehtë në letër për shkodranet, të cilat do të kërkojnë vetëm tre pikët përballë një Kukësi që nuk ka bërë aspak mirë gjatë këtij sezoni futbollistik.

Ndërkaq, të shtunën do të luhen edhe tre sfida të tjera mjaft interesante. Spikat derbi myzeqar mes Apolonisë dhe Lushnjes, që është programuar të zhvillohet në aneksin e stadiumit ‘Loni Papuçiu’ në Fier. Fieraket vijnë pa dyshim favorite dhe mjaft të karikuara në këtë takim, kryesisht edhe pas fitores së thellë 15-0 kundër Teutës javën e kaluar. Për Apoloninë vlejnë vetëm tre pikët, që janë të rëndësishme për të garuar deri në fund për vendin e dytë në këtë edicion, që mbahet deri më tani nga Tirana. Nga ana tjetër, Lushnja ka bërë një sezon mjaft negativ, ku në 15 ndeshje nuk ka marrë asnjë fitore.

Po të shtunën, Kinostudio do të përballet me Skënderbeun në Kamëz, ku pritet një ndeshje mjaft interesante dhe e luftuar mes dy ekipeve. Një pikë më pak se Partizani në klasifikim, Kinostudio do të luftojë në këto javë të mbetura për të grumbulluar sa më shumë rezultate pozitive dhe për të siguruar vendin e katërt në klasifikimin përfundimtar. Nga ana tjetër, Skënderbeu vjen i karikuar në këtë sfidë, pas fitores ndaj Kukësit në javën e 14-të.

Ndeshja është programuar të luhet të shtunën në ora 15:30, ndërsa në po të njëjtën ditë e orë, Laçi do të presë në shtëpi ekipin e Partizanit. Një takim mjaft interesant edhe ky, ku pas humbjes ndaj Vllaznisë, të besuarat e trajnerit Ylli Shehu do të kërkojnë të rikthehen te rezultati pozitiv dhe fitorja, për të siguruar vendin e katërt në kampionat.

Takimi përmbyllës i javës është ai mes Tiranës dhe Teutës, ku vajzat bardheblu shihen pa dyshim favorite në këtë sfidë dhe një fitore do t’i mbante ende në lojë për t’u shpallur për herë të parë kampione të këtij edicioni. Ndeshja është planifikuar të luhet në kompleksin ‘Skënder Halili’ në ora 12:00, ditën e diel.

Kampionati Kombëtar i Vajzave

Ndeshjet e javës së 15-të

Kukësi – Vllaznia, 28.04.2023, ora 17:30

Apolonia – Lushnja, 29.04.2023, ora 12:00

Kinostudio – Skënderbeu, 29.04.2023, ora 15:30

KF Laçi – Partizani, 29.04.2023, ora 15:30

Tirana – KF Teuta, 30.04.2023, ora 12:00

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img