Pas turneut “Josip Katalinski Škija” në Bosnje-Hercegovinë, Shqipëria U-15 do të zbresë sërish në fushë për të zhvilluar dy ndeshje miqësore kundër bashkëmoshatarëve të Maqedonisë së Veriut.
Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut kanë dakordësuar zhvillimin e këtyre dy takimeve në muajin e ardhshëm, përkatësisht në datat 7 dhe 9 qershor.
Ndeshja e parë e kuqezinjve të vegjël është planifikuar të luhet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 7 qershor në ora 17:00, ndërsa takimi i dytë është programuar të luhet dy ditë më vonë, më 9 qershor në stadiumin ‘Elbasan Arena’, në ora 18:00. Kuqezinjtë do të grumbullohen në Pogradec duke nisur nga 4 qershori, ku do të zhvillojnë edhe përgatitjet për miqësoren e parë ndaj Maqedonisë së Veriut, ndërsa për takimin e dytë miqësor, grumbullimin dhe përgatitjet do t’i zhvillojnë në Elbasan. Lista e lojtarëve të grumbulluar do të bëhet me dije në vijim nga trajneri Dama.
Këto dy teste kundër Maqedonisë së Veriut janë një mundësi shumë e mirë për trajnerin Armand Dama dhe stafin teknik të Kombëtares U-15, për të provuar lojtarët më të spikatur të kësaj grupmoshe për të krijuar ekipin më të mirë të mundshëm që do të marrë pjesë në turneun e ardhshëm UEFA Development U-15 që do të zhvillohet në muajin shtator.
Në fakt, muaji qershor do të shohë që të zbresin në fushë edhe Kombëtarja A e Shpresat, që do të marrin pjesë në turne zyrtarë, por edhe Kombëtaret U-17 e U-19 që kanë planifikuar disa ndeshje miqësore.