Një lajm shumë i mirë vjen për sportin e basketbollit. Pas një pezullimi gati një vjeçar për arsye të pandemisë, sporti i koshit pritet të kthehet në aktivitetet kombëtare. Lajmi në fjalë konfirmohet nga Federata Shqiptare e Basketbollit, e cila bën të ditur se kërkesa zyrtare e tyre drejtuar institucioneve shtetërore për lejimin e zhvillimit të kampionateve kombëtare është miratuar.
Nga sa bëhet e ditur, Komiteti i Ekspertëve të Pandemisë, përmes kryetares dhe zv.ministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli pasi ka shqyrtuar shkresën e fundit në adresë të tyre, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka miratuar kërkesën për zhvillimin e ndeshjeve të basketbollit në Shqipëri.
“Në përgjigje të shkresës tuaj, datë 11 janar 2021, ju bëjmë me dije se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e miraton kërkesën tuaj për zhvillimin e ndeshjeve të basketbollit. Gjatë zhvillimit të aktiviteteve duhet të respektohen masat e distancimit social, si dhe ato higjienosanitare për parandalimin e përhapjes së infeksionit Covid-19”, thuhet në përgjigjen që ktheu Ministria dhe tashmë në Shqipëri mund të nisin aktivitetet e basketbollit. Në një prononcim të dhënë për Veriu Sport, sekretari i FSHB, Korab Llazani bëri të ditur se Federata ka gati kalendarin, që tashmë do të jetë me ndeshje të reduktuara.
Lajmi i mirë për rikthimin e basketbollit pritet të shoqërohet edhe për sportin e volejbollit, ku sipas burimeve pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, edhe për sportin e rrjetes do të merret një vendim i tillë për fillimin e aktiviteteve sportive kombëtare.