Është vetëm 13 vjeç dhe quhet Renis Jasini. Mbajeni mirë në mendje këtë emër, sepse shumë shpejt do të jetë protagonist në sportin e atletikës. Ky është mendimi i trajnerit të tij, Jetmir Jahaj, por dhe i specialistëve të tjerë të sportit të atletikës në Shkodër. Videot e realizuara gjatë një seance stervitore të zhvilluara ditën e mërkurë në stadiumin “Loro Boriçi” flasin vetë për vlerat dhe talentin që disponon ky sportist që në fillimet e para me sportin e atletikës.
“Arrinë të realizojë me lehtësi në mënyrë të rrjedhshme një nga ushtrimet e kërcyeshmërisë, me pengesa 80 cm të larta, si dhe të kërcejë nga vendi 2 metër e 40 cm. Rezultate këto shumë të favorshme për një të ardhme të mirë në sportin e Ateltikes”, -thekson trajneri që po e stërvitë , Jetmir Jahja, duke u shprehur shumë i kënaqur që ka në dorë një talent të tillë.
Nga sa mësojmë, Renisi është nxënës i klasës së 7-të pranë shkollës 9 vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër, aty ku edhe trajneri i tij Jahaj jep mësim si mësues i edukimit fizik.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, profesor Jahaj, thotë se hapat e parë të Renisit me sportin e atletikës i ka filluar me të ndjerin, prof dr. Vilfan Tufi për një periudhë 4 mujore. Pastaj ai është shkëputur për muajt e verës dhe në shtatorin e vitit 2020 ka filluar përsëri sportin e atletikës nën kujdesin e tij si tranjer, me të cilin vazhdon edhe sot. “Këtë vit do të marrë pjesë në garën 100 metër në Kampionatin Kombëtar të grupmoshave U-16, ku synojmë të kapim medalje. Është pak në disavantazh, sepse konkuron me grupmosha 2 vite më të mëdha se mosha e tij, por megjithatë unë besoj shumë se do të marrim rezultat shumë të mirë. Është një sportist i talentuar, dhe duke punuar së bashku me përkushtim dhe profesionalizëm, shpresojmë që në të ardhmen, Renisi të jetë pjesë e sportistëve të nivelit shumë të mirë”, nënvizon për Veriu Sport, trajneri Jahaj.
Gaspër MARKU