Tuesday, December 24, 2024

Volejbolli starton sot sezonin 2023-2024 me Kupën e FSHV-së

Lexo

Volejbolli shqiptar do të nisë sot edicionin 2023-2024 me aktivitetin e parë sezonal, Kupën e FSHV-së e cila do të zhvillohet për tri ditë me radhë në palestrën e Farkës.

Ndeshja hapëse e kompeticionit është gjysmëfinalja e meshkujve Tirana-Vllaznia e cila ka startuar orën 17:00. Bardheblutë e Arben Sakos janë edhe fituesit në fuqi të Kupës së FSHV-së, teksa ky trofe hapi serinë e tripletës gjatë sezonit të kaluar për ta, për t’u kompletuar më pas me Kupën e Shqipërisë dhe me Superligën. Në orën 19:00, në parket do të zbresin Partizani dhe Erzeni për gjysmëfinalen e dytë, ekipe që gjithnjë kanë dhuruar përballje mjaft të bukura, ndërsa për shijakasit do të debutojë në pankinë trajneri Ilia Koja.

Për sa i përket finales, ajo do të zhvillohet të dielën në orën 19:00. Ndërkohë, në radhët e femrave gjysmëfinalet do të luhen nesër, ku ndeshja e parë do të jetë ndërmjet Partizanit dhe Vllaznisë në orën 19:00. Të kuqet, tashmë nën drejtimin e trajneres Amarilda Prenga, janë fitueset në fuqi të Kupës së FSHV-së dhe pasi e mbyllën në mënyrën më të mirë sezonin e kaluar duke u shpallur kampione, do të kërkojnë ta nisin mbarë edhe edicionin e ri sportiv. Më tej në orën 19:00 do të kemi sfidën ndërmjet Skënderbeut dhe Tiranës.

Të dyja skuadrat vijnë me shumë ambicie edhe në këtë sezon, ndërsa për bardheblutë do të debutojë në pankinë edhe trajneri Hasan Gurabardhi, i cili rikthehet te Tirana bashkë me njërën prej lojtareve të tij më të besuara, Enkeleda Brahon. Finalja e Kupës së FSHV-së te femrat do të luhet të dielën në 16:30.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img