“Ishte me të vërtetë kënaqësi përfaqësimi i Kosovës dhe ngritja e flamurit”. Kështu është shprehur Nora Gjakova për arritjen e saj më të fundit, medaljen e artë në “Grand Slam”-in e zhvilluar në Baku të Azerbajxhanit, në një lidhje direkte me emisionin “Zona 30”, që transmetohet nga e hëna në të premte, në orën 18:30 në ekranin e RTSH 1.
Cilat janë emocionet në momentin që fiton një medalje të artë në një eveniment të rëndësishëm siç është Grand Slam i Baku, pa harruar dhe atë të fituar në Tokio 2020?
“Pas çdo medalja të fituar janë emocione të mëdha. Por emocionet e medaljes së artë janë më ndryshe, është me të vërtetë moment krenarie. Ecën drejt podiumit dhe ngjitesh aty në vend të parë, është me të vërtetë krenari kur shikon flamurin e Kosovës të ngjitet në vendin e parë”.
Cila është kënaqësia më e madhe që ke marrë nga sporti?
“Kënaqësia më e madhe është medalja në Lojërat Olimpike, ‘Tokio 2020’. Dihet tashmë, në çdo sport kulmi i suksesit janë Lojërat Olimpike”.
Cili është niveli në sportin e xhudos, cili mbahet si pretendent në kategorinë 57 kg, ka një shpërndarje më të gjerë si në botën e futbollit, apo rrethi është më i ngushtë?
“Në kategorinë time janë 10 garuese, ku secila mund të fitojë në një garë. Deri tani kanë dominuar japonezet, francezet, brazilianet. Por përsëri e them, në çdo garë ndryshon, është shumë e vështirë që të dominojë një garuese”.
Si ka qenë rrugëtimi gjatë gjithë këtij Grand Slam-i?
“Në ndeshjen e parë jam ndeshur me një garuese nga Polonia, më pas nga Gjermania. Me francezen ka qenë ndeshja e tretë, me të cilën jam përballur dhe në një garë më përpara dhe është kënaqësi kur i mposht ato garuese që kanë fituar më parë ndaj teje. Në gjysmëfinale jam përballur me një kundërshtare që më ka mundur në Botëror, turkja Bozkurt. Në finale u ndesha me gjeorgjianen Liparteliani, gjithësej pesë ndeshje”.
Gjatë fillimeve të karrierës ke nisur stërvitjen në një palestër në periferi të Pejës me profesor Dritonin. A mendoje se do arrije deri këtu ku je sot?
“Nuk e kam menduar aspak. Gjithçka ka ecur hap pas hapi”.
Si nisi kjo ide për tu marrë me xhudo?
“Babai im është marrë me sport dhe kishte dëshirë kur dëgjoi për Driton Kukën si sportist i mirë dhe që kishte sukses si trajner. E kështu unë 8 vjeç dhe vëllai im 6 vjeç kemi nisur stërvitjen, nuk kemi munguar dhe gjithçka ka ardhur rrjedhshëm”.
A ka interes të fëmijëve për tu afruar te palestra e Dritonit?
“Po, ka interes, sidomos pas medaljes olimpike të Majlindës, pas medaljes time dhe të Distrias, gjithmonë është rritur interesimi. Sporti i xhudos është një sport mjaft i vështirë, prandaj ata që vijnë duhet të jenë shumë të disiplinuar dhe të pranishëm në stërvitje”.
Duke qenë një sport fizik, që mund të sjellë edhe dëmtime, si e kanë përjetuar prindërit e tu, mos ndoshta janë trembur pak?
“Jo aspak. Sporti i xhudos është një sport fizik. Nuk është vetëm forca që e karakterizon, por edhe lëvizjet e gjithçka tjetër. Dëmtimet janë ashtu si në çdo sport tjetër. Më e mira është që xhudo është një sport edukativ, është pika e parë që e karakterizon. Dëmtimet janë pjesë e lojës, është një sakrificë që e bën çdo sportist”.
Majlinda Këlmendi ishte e para që ngriti flamurin në sportin e xhudos, çfarë roli ka luajtur në karrierën tënde në vazhdimësi?
“Me Majlindën kemi qenë gjithmonë bashkë në rrugëtimin tonë. Ishte ajo e para që i hapi dyert për gjithsecilin prej nesh. Ajo ishte e para që arriti suksese të mëdha. Unë isha më pak e suksesshme, por kjo nuk më ka ndalur, kam besuar se edhe unë do mbërrij një ditë në këtë nivel. Atë dëshirë dhe vullnet që kishte Majlinda e ka transmetuar edhe tek unë duke qenë dhe bashkëudhëtare me të”.
Po flasim për një brez të artë, siç ishte Majlinda Kelmendi, jeni ju, është Distria Krasniqi. Ka një brez tjetër që po vjen në këtë sport?
“Po ka. Trajneri gjithmonë kujdeset që të ngrejë brezit tjetër afër nesh. Suksesi gjithmonë e tërheq suksesin, prandaj të gjithë sportistët që janë pranë nesh nuk kanë zgjidhje tjetër nëse bëjnë të njëjtën rrugë që ne po ndjekim, suksesi nuk do mungojë”.
Përse nuk është injektuar ky sport edhe në Shqipëri?
“Nuk e di, jemi përpjekur vitet e fundit, kemi patur disa përgatitje. Kemi sjellë në Shqipëri garues të ndryshëm nga vende të ndryshme. Pak nga pak dhe Shqipëria ka nisur të rritet. Janë disa sportistë që po rriten afër nesh. Ndoshta një bashkëpunim më i ngushtë do të sillte rezultate edhe më shpejt”.